E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investime në Veri

Qeveria e Kosovës miratoi Raportin e shpenzimit gjashtëmujor të buxhetit. Kjo u bë në mbledhjen e rregullt të Qeverisë. Gjithashtu, Qeveria mori vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 500 mijë eurosh për projekte kapitale në komunën e Mitrovicës. Kryeministri Thaçi tha se ndarja e këtyre mjeteve për komunën e Mitrovicës në veri të saj është bërë në kuadër të angazhimeve shtesë që kanë si Qeveri e Kosovës, për projektet në veri të Mitrovicës.

“Për projektet kapitale është menduar që të propozohet për ndarjen e 500 mijë eurove, duke marrë parasysh edhe hapjen e zyrës atje. Qeveria e Kosovës është duke vazhduar të bëjë investime kapitale në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, ka paraqitur shqyrtimin e projektligjit për akcizën në produktet e duhanit, i cili ka mbetur të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Projektligji, sipas Hamzës, ka për qëllim përmirësimin e procedurave dhe shtimin e efikasitetit të administrimit të akcizës së duhanit, të cilat janë paraqitur si nevojë që nga viti 2003. Ai tha se arsye tjetër e nxjerrjes së këtij projektligji qëndron në shndërrimin e Rregullores së UNMIK-ut 2003/23 në ligj të Kosovës në përputhje me kërkesat e Kushtetutës së Kosovës.

Hamza ka prezantuar Raportin e gjashtëmujorit të vitit 2010, i cili, sipas tij, bazohet në ligjin e financave publike dhe MEF-i, sipas tij, ka përgjegjësitë të përpilojë dhe publikojë raportet mbi ekzekutimin e buxhetit.

“Plani buxhetor i pranimeve vjetore për vitin 2010 sipas buxhetit fillestar është 1 miliard e 109 milionë e 200 mijë euro. Plani buxhetor për pagesa vjetore, sipas buxhetit fillestar, është 1 miliard e 278 milionë e 48 mijë euro duke i përfshirë edhe të hyrat vetanake të bartura nga viti 2009”, ka thënë ai. Të hyrat gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve dhe fondet në mirëbesim, kapin shumën 533 milionë e 489 mijë euro dhe paraqesin 48.1 për qind të pranimeve vjetor të planifikuar që në krahasim me vitin paraprak shënon rritje prej 27 për qind.

Pranimet nga tatimet kufitare, doganat arrijnë në 42.8 për qind të realizimit të planit vjetor dhe janë në shumë prej 292 milionë e 4 qind e 8 mijë euro. Pranimet e mbledhura nga ATK-ja, arrijnë në 43.2 për qind të planit dhe janë në shumën e 101 milionë e 411 mijë euro që krahasuar me periudhën e njëjtë, viti 2010 shënon ngritje prej 5 për qind.

Pranimet jotatimore qeveritare paraqesin 36.2 për qind të planit vjetor për këtë kategori. Gjatë kësaj periudhe thuhet të ketë pasur edhe kthime nga ATK-ja dhe Dogana në vlerë prej 9 milionë e 76 mijë euro. Subvencionet dhe transferet janë 11 milionë e 74 mijë euro apo 44 .8 për qind të planit të përgjithshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›