Mustafa: Ishte momenti i duhur për koncesionimin e Aeroportit

"E them me bindje të plot si një qytetar i Kosovës, si një profesionist i sferës së ekonomisë dhe si drejtor i Aeroportit, se procesi i koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës është dashur të bëhej edhe më herët, por mirë që nuk është bërë dhe është bërë në kulmin e suksesit të Aeroportit. Për bindjen time, ne jemi forcuar edhe më tepër me ofertën që e ka bërë konsorciumi fitues për menaxhimin Aeroportit, ka thënë Mustafa. Për më tepër, kreu aktual i APN-së beson që procesi i koncesionimit është i vetmi proces që garanton qëndrueshmërinë që e ka sot Aeroporti.
"është i vetmi proces që garanton ruajtjen e përparësive konkurruese në treg. është i vetmi proces që garanton shtimin e cilësisë së shërbimeve dhe garanton që ky Aeroport të jetë një simbol i këtij vendi", thotë Mustafa. Koncesionimin e Aeroportit, Mustafa e sheh koncesionimin me sukses të Aeroportit si një sinjal për investitorët e huaj, se vendi ynë ofron mundësi të mira operimi në sferën ekonomike. Madje, sipas tij, me koncesionim Kosova del fituese.
"Vitin e kaluar ne kemi pasur një qarkullim prej rreth 30 milionë eurosh. Prej një realizim të tillë koncesionieri është zotuar se 39.42 për qind do t'i dedikohen Qeverisë së Kosovës. Kjo do të ishte rreth 12 milionë euro. Një shumë e tillë ka qenë e pamundur të derdhej në buxhetin e Kosovës nga Aeroporti si ndërmarrje publike, duke i marrë parasysh edhe investimet kapitale që do të duhej bërë", ka potencuar Mustafa.
Një e mirë në procesin e koncesionimit është edhe mbetja e të gjithë punëtorëve në punë për të paktën 3 vite të ardhshme.
Drejtori aktual i APN-së thotë se koncesioneri do të ketë një staf profesional, i cili do t'ia garantojë ecurinë pozitive në vitet në vazhdim.
Sipas Mustafës nga 800 punëtorë, 110 do të kalojnë në agjencinë e re shtetërore për navigimin ajror. Numrin aktual të punëtorëve Mustafa nuk e konsideron të madh.
"Vitin e kaluar ne kemi pritur 1 milion 267 mijë udhëtarë, sivjet presim mbi 1.3 milionë. Nuk pres të ketë ndryshime radikale pas marrjes nën udhëheqje të aeroportit nga koncesioneri. Nuk është numër i madh i punëtorëve kur funksionon 24 orë në ditë dhe pret rreth 1.3 milionë udhëtarë", mendon Mustafa.
Sipas tij, janë me rreth 60 milionë euro investime kapitale të bëra pas luftës në Aeroport. "Janë edhe mija euro të tjera të investuara në ngritjen profesionale të stafit të Aeroportit, prandaj nuk besoj se ndonjëri nga ta do të largohet nga puna".
Ndonëse shpesh është thënë se Kosova ka nevojë edhe për një aeroport ndihmës, Mustafa e thotë të kundërtën.
"Kosova nuk ka nevojë të ketë edhe një aeroport tjetër komercial. Ky aeroport ka kapacitete të mjaftueshme për shtimin eventual të trafikut ajror, ndaj nuk ka nevojë për një aeroport të ri.
Megjithatë, sipas Mustafës, APN-ja ka nevojë për intervenim për ta bërë atë sa më të gatshëm koform standardeve të BE-së. Për ta arritur këtë nivel, sipas Mustafës, APN-ja duhet ta zgjerojë pistën e vet, ta bëjë një terminal të ri, ta rrisë hapësirën komerciale si dhe ta bëj një vend më të përshtatshëm për pritjen e udhëtarëve siç edhe është parashikuar me kontratë.
"Kemi mundur ta bënim vetë këtë gjë, por Ligji i prokurimit dhe ai për ndërmarrjet publike do të na shkaktonin probleme të shumta në realizimin e këtyre projekteve", ka spikatur Mustafa. Ai ka bindjen se APN-së i duhet një infrastrukturë e re për kontrollin e trafikut ajror, ngaqë Kulla aktuale nuk i plotëson standardet, e kjo gjë do të specifikohet edhe me kontratën që do të nënshkruhet me 12 gusht mes Qeverisë dhe koncesionerit.
Ish-menaxheri i resurseve në APN, teksa bën bilancet e punës së tij të deritashme, e pohon me gojën plot se është ulur në karrigen e të parit me profesionalizëm, por jo me intervenim nga jashtë apo me mitë. "Ka qenë e pamundur deri në atë kohë të punësohesh në Aeroport pa intervenuar apo pa dhënë para. Unë jam punësuar me forca të mia profesionale", këmbëngul Mustafa. Me të marrë detyrën, ai pohon t'i ketë bërë një rëntgen APN-së dhe me të cilin kishte konstatuar se gjendja ishte si mos më keq. "Në Aeroport ka qenë një mbretëri me dy principatat e saj që udhëhiqej nga drejtori i përgjithshëm i Aeroportit dhe nga dy drejtorët - ai i terminalit dhe ai i kontrollit të trafikut ajror. Me punësimin tim mbretëria me dy principatat fillojnë të zbehen dhe fillojnë të humbin një pjesë të mëdha të ndikimeve të tyre dhe fillojmë të merremi shumë seriozisht më çështjen e stabilizimit të punësimit, sepse ishte krijuar një atmosferë shumë e zymtë pas vrasjes së një personi që kishte lidhje me punësime në Aeroport. Ishte e pabesueshme se si në një ndërmarrje të tillë publike ishte një atmosferë e tillë pune ku njerëzit ruheshin nga njëri-tjetri, nuk flisnin në mes vete, mundoheshin njëri-tjetrit 't'ia fusnin thikën pas shpine'".
Gjendja financiare në atë kohë ishte shumë e rëndë, Aeroporti nuk ishte profitabil, kishte shpenzime të pakontrolluara, të paharmonizuara, duplifikim të shpenzimeve duplifikim të posteve. "Ato dy divizione, apo siç i quajta principata, kanë punuar në mënyrë të pavarur dhe në mënyrë të vet duke krijuar shpenzime të duplifikuara. Kishte edhe zëra se do të falimentonte Aeroporti". Mustafa e ka marrë detyrën kur APN-ja ishte shndërruar në pistë hetimesh për keqpërdorime të ndryshme. Ai nuk e përjashton mundësinë që njerëz nga stafi drejtues i asaj kohe të kenë përfituar. "Nuk e përjashtoj mundësinë se ka pasur përfitime materiale personale të njerëzve në atë kohë. Aty janë bërë hetime dhe janë marrë masa ndaj personave", ka thënë Mustafa.
Në këtë situatë, atij i është dashur ta riorganizonte punën, ndaj me risistematizimin e vendeve të punës, 60 persona, më 2006-n, humbën vendet e punës. Megjithatë, plani i tij dhe i bashkëpunëtorëve për kontraktimin e shërbimeve mbeti i parealizuar dhe për këtë gjë as ai vetë nuk ka përgjigje. "Nuk e di pse u ndal ky projekt që arriti të siguronte përkrahje në vlerë prej 32 milionë eurosh nga donatorët e huaj. Por e di se në atë kohë kemi pasur njerëz të papërgjegjshëm në korporatë, njerëz të pandërgjegjshëm që filluan një lobim të fuqishëm në strukturat e atëhershme politike që rezultuan në fund me dështimin e projektit të ristrukturimit të Aeroportit në vitin 2006", thekson Mustafa.
U desh të kalonin 2 vite nga kjo kohë, kur APN-ja, sipas Mustafës, nisi me këmbë të mbarë.
"Vitit 2008 është vit i shumë zhvillimeve në aeroport, vit i konkretizimeve të shumë projekteve, vit i ndërrimit të qasjes ndaj konsumatorit", thotë ai. Bilanci vjetor e nxori APN-në me 30 milionë euro realizim, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e këtij aeroporti.
"Viti 2008 rezulton me një fitim të paparë ndonjëherë nga Aeroporti i Prishtinës. Vetëm në gjashtë muajt e parë ne arritëm të krijonim një performancë aq të mirë saqë nuk krahasohej me një vit të plotë në vitet e mëparshme. Këtë vit ne ndryshuam imazhin e Aeroportit dhe stabilizuam qëndrueshmërinë financiare të tij", potencon Mustafa. Këtë vit në Aeroportin e Prishtinës përfundon punën misioni islandez i cili tre muaj para largimit kishte lëshuar edhe certifikatën me të cilën dëshmohet se APN-ja i përmbush standardet ndërkombëtare.
Një vit më vonë APN-ja, sipas tij, performon edhe më mirë. "Projekti kapital i rishtresimit të pistës dhe ndriçimit të saj me trysnin tonë përfunduan në fillim të vitit 2009. Këto projekte iq shtuan edhe më shumë atraktivitetin e Aeroportit".
Agron Mustafa nuk përjashton mundësinë që puna e tij në dy vitet e fundit të mos jetë vërejtur dhe çmuar nga koncesioneri i ri, dhe për disa vite të jetë në cilësinë e drejtorit menaxhues të Aeroportit.
Restoranti - konkurrencë Aeroportit të Prishtinës
Koncesioneri sapo ta nisë punën e vet në ANP do të përballet me një problem të trashëguar nga viti 2002. Brenda hapësirës së APN-së, ndodhet një restorant, të cilit përfaqësuesit e Shtyllës së katërt të UNMIK-ut ia kanë lejuar qasjen në oborrin e Aeroportit përmes lokalit të tij. "Ne kemi tentuar ta rrethonim hapësirën tonë përreth, gjë që kemi marrë edhe pëlqimin edhe nga shkalla e parë e Gjykatës, por pronari i atij lokali ka bërë ankesë në shkallën e dytë, ndaj sot e asaj dite nuk është shqyrtuar duke e lënë që ai biznes privat t'i bëjë konkurrencë direkte Aeroportit të Prishtinës", ka thënë drejtori Mustafa.
"Easyjet" - sukses / "Belair" - mossukses
Trefishimi i të hyrave dhe numri i udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës kanë qenë punët, të cilat Mustafa i cilëson si sukses gjatë menaxhimit të tij.
"Por një ndër sukseset më të mëdha ka qenë sjellja e 'Easyjetit' për të operuar në Prishtinë", thotë Mustafa. Sipas tij, "Easyjet" është kompani e katërt më e mira në Evropë, e cila operon edhe në Kosovë me dy destinacione. I pari i ANP-së ka thënë se këtë vit ANP-ja do të ketë bilanc më pozitiv sesa në vitin paraprak.
"Këtë vit ne do të kemi 100 mijë udhëtarë më shumë se vitin e kaluar", shpreson Mustafa. Por, ai ka një vërejtje. "është i dhimbshme mosvazhdimi i lejes së operimit kompanisë "Belair" nga Eregullatori", shprehet Mustafa. Sipas tij, nga ky veprim APN-ja ka humbur gjysmë milioni euro. Në këtë kontekst, Mustafa beson se koncesionerit nuk do t'i shkaktohen probleme të tilla që dëmtojnë buxhetin e ANP-së.