E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat do të ‘zbusin’ kushtet e marrjes së kredive

 

Gjatë muajve në vijim bankat pritet të zbusin disi kushtet për marrjen e një kredie, qoftë për biznesin apo edhe për individët. Gjatë këtyre muajve pritet edhe një rritje e kërkesës për kredi. Ky ka qenë rezultati i vrojtimit të aktivitetit kreditues për 3-mujorin e dytë të vitit të kryer nga Banka e Shqipërisë. Nga rezultatet e këtij vrojtimi, përqindja neto e bankave që kanë raportuar për shtrëngim të standardeve të kredidhënies, megjithëse ende në nivele të larta, është zvogëluar krahasuar me tremujorin e parë. Faktorët kryesorë nxitës të politikës shtrënguese të bankave vijojnë të jenë vlerësimi i tyre për situatën makroekonomike, problemet specifike të sektorit ku operojnë bizneset, si dhe gjendja financiare e individëve. Lidhur me kërkesën neto për kredi (përqindja neto e bankave që kanë raportuar se kërkesa është rritur), megjithëse mbetet në nivele negative ka regjistruar një kthesë drejt rritjes në tremujorin e dytë të vitit 2009, ndërsa kërkesa e korporatave ka shënuar për herë të parë vlerë pozitive. Pritjet e bankave për tremujorin e tretë të vitit 2009 çojnë drejt një zbutjeje të mëtejshme të shtrëngimit të standardeve për të dyja kategoritë e biznesit, si dhe për kredinë dhënë individëve. Për sa i përket kërkesës për kredi, bankat vlerësojnë se ajo do të vijojë prirjen rritëse si nga individët ashtu edhe nga korporatat dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. “Në tremujorin e dytë të vitit 2009 shtrëngimi i standardeve të kredisë akorduar bizneseve është zbutur në krahasim me tremujorin e kaluar. Balanca neto e cila vijon të jetë në kahun shtrëngues është rritur në -23.4 për qind në krahasim me -66.3 për qind në vrojtimin e kaluar. Faktorët kryesorë, që kanë kontribuar në shtrëngimin e standardeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 vijojnë të jenë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike në vend dhe ecuria e kredive me probleme. Megjithatë, gjatë vrojtimit të radhës ndikimi i këtyre faktorëve është zbutur disi, krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2008 dhe tremujorin e parë të vitit 2009. Faktorët kryesorë që kanë nxitur kërkesën e bizneseve për kredi, sipas opinionit të ekspertëve të bankave, kanë qenë nevoja për financimin e kapitalit qarkullues, pakësimi i përdorimit të burimeve alternative të financimit si dhe vendime të Bankës së Shqipërisë. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa neto për kredi për investim ka njohur rritje ndërsa kërkesa për kapital qarkullues është paraqitur pozitive. Bankat presin zbutje të mëtejshme të standardeve për akordimin e kredisë për bizneset në tremujorin e tretë të vitit 2009. Pritjet për kërkesën tregojnë për një kthesë pozitive të saj në tremujorin e ardhshëm. Balanca e pritjeve është pozitive si për kërkesën nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe nga korporatat”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›