E Diel, 1 Nëntor 2026

Favorizoi një firmë eksplozivi, 1 vit e 8 muaj burg zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes



Luan Kondi

Tiranë - Gjykata e Tiranës dha dje vendimin me 1 vit e 8 muaj heqje lirie për ish zyrtarin e Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani i akuzuar për favorizim të firmave që tregtonin lëndët plasëse. Gjithashtu gjykata i hoqi të drejtën Madanit që për një vit të mos ushtrojë asnjë veprimtari publike. Ferdinand Hodo, administrator i firmës “Geoconsult” u dënua me 1 vit e dy muaj heqje lirie si dhe 500 mijë lekë gjobë. Aurela Çota, bashkëpunëtore e tij në firmën “Nitromak Albania” është dënuar me 10 muaj heqje lirie, kurse Kadri Sula ish-komandant i Brigadës së Furnizimit në strukturat e Forcave të Armatosura është shpallur ë pafajshëm.
Arrestimi
Arrestimi i katër personave është kryer në maj të vitit të kaluar, kur dy zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes u dyshuan se kishin pajisur jashtë rregullave me leje import-eksporti të lëndëve eksplozive për qëllime civile, të dyja këto firma private. Çota u lirua tre ditë pas arrestimit, kurse të pandehurit e tjerë u liruan më vonë nga Gjykata e Lartë. Shkëlzen Madani, që konsiderohet si krahu i djathtë i Fatmir Mediut dyshohet si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit dhe emri i tij është renditur në listën e 30 të akuzuarve.
Akuzat
Hetimet për këtë aferë korruptive kanë filluar në janar të këtij viti, pas denoncimit të një tjetër kompanie në Prokurorinë e Tiranës. Burime nga grupi hetimor thanë atëherë se hetimet kishin nxjerrë mbi sipërfaqe licencime të kundërligjshme të dy kompanive, të cituara më sipër, të cilat nuk i kishin plotësuar kriteret e kërkuara si dhe kanë zbuluar disa objekte të Ministrisë së Mbrojtjes, që i janë dhënë me qira të papërfillshme “Nitromak”-ut dhe “Geoconsult”. Është zbuluar gjithashtu se një sasi e madhe eksplozivi, e importuar në mënyrë të kundërligjshme nga këto kompani ka shkuar për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Pasi kanë siguruar provat që implikojnë katër të akuzuarit, zyra e Task-Forcës i kërkoi gjykatës leje për arrestimin e Shkëlzen Madanit, kolonelit Kadri Suli dhe përfaqësuesve të dy kompanive private. Emri i Shkëlzen Madanit ka qenë njohur për prokurorët. Ish drejtori i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes ka firmosur edhe për kontratën e lidhur ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit. Madje, pak ditë pas ngjarjes ku humbën jetën 26 persona Madani u thirr disa herë për të dëshmuar, lidhur me firmën e lëshuar në dokumentet zyrtare që janë lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes për ndërtimin e fabrikës së demontimit të armëve në fshatin Gërdec.

Policia ndal autobotet me ujë dhe pleh që futen në Lazarat për Cannabisin

Gjirokastër – Mungesa e informacioneve apo edhe kushtet për të identifikuar zonat e mbjella me Cannabis sattiva e kanë detyruar policinë e Gjirokastrës të kërkojë një tjetër zgjidhje për zbulimin e bimëve të lëndëve narkotike me qëllim asgjësimin e tyre. Në pamundësi për të ushtruar kontroll në këtë fshat policia ka ngritur postblloqe për të ndaluar personat që tentojnë të fusin ujë dhe pleh të cilat do tu nevojiteshin atyre për bimët narkotike. Policia ka rritur kontrolle në aksin rrugor Gjirokastër- Dervicjan për bllokimin e të gjitha automjeteve që shërbejnë për transport të ujit dhe të plehut në drejtim të fshatit Lazarat, ku nga informacionet që disponojnë Agjentët dhe Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, ky ujë dhe pleh do të përdoret për kultivim të bimëve narkotike. Në këtë aks forcat e policisë patrullojnë 24 orë duke bërë të mundur bllokimin e të gjitha automjeteve që tentojnë të futen në fshatin Lazarat të ngarkuara me ujë dhe pleh. Dje paradite në aksin rrugor Gjirokastër-Dervicjan, në vendin e quajtur Kordhocë shërbimet e policisë kanë bllokuar një kamion 10 tonësh, i cili shërben për transport mallrash të mbuluar ku në brendësi të kamionit ishin të ngarkuara 3 cisterna plastike nga 2 tonë secila të mbushura me ujë dhe drejtuesi i automjetit po i transportonte për në fshatin Lazarat me qëllim për të ujitur bimët narkotike.
Kamioni është bllokuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Fier, mbytet në rezervuar 16-vjeçari, familjarët nxjerrin trupin e të ndjerit

Fier – Një 16-vjeçar dyshohet se është mbytur në një rezervuar në Fier. Ngjarja ka ndodhur pas çaste më parë në rezervuarin e quajtur “Ruzhdies” kur 16-vjeçari me iniciale M. I., ka hyrë për tu larë dhe nuk është parë të dalë sërish. Dëshmitarët e ngjarjes thanë se adoleshenti kishte pak orë që mbërriti në rezervuar dhe u fut për tu larë por nuk doli më. Ata kanë dhënë alarmin duke lajmëruar policinë. Ndërkohë që për nxjerrjen e 16-vjeçarit nga rezervuar kanë mbërritur polumbarët nga Tirana, por familjarët e kishin nxjerrë trupin e të ndjerit nga fundi i rezervuarit.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›