E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bimë Cannabis në pyllin e fshatit Lundër, parcela e mbjellë nuk’ka pronar



Tiranë – Pas gjetjes së parcelës me Cannabis sattiva në fshatin Kus të komunës Kashar uniformat blu identifikuan dhe asgjësuan një tjetër parcelë me bime narkotike, në fshatin Lundër, të komunës Farkë e Madhe, në një pyll. Bëhet e ditur se u sekuestruan në cilësinë e provës materiale afro 17 rrënjë bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva, të cilat kishin një gjatësi prej 1-1.8 m. Ndërkohë, që po punohet për identifikimin dhe gjetjen e autorëve të mbjelljes së këtyre rrënjëve. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

Pranga 26-vjeçarit xheloz, i hodhi acid në fytyrë ish-gruas

Tiranë – Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë Elton Alian, 26 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Tiranë, pasi dyshohet se për motive xhelozie u ka hedhur në pjesën e fytyrës lëndë djegëse (acid) 25-vjeçares Dhurata Tërshana dhe 23-vjeçares Sabina Karaj, kjo e fundit ish-bashkëshortja e tij. Burimet policore bënë me dije se të dëmtuarat u dërguan menjëherë në spitalin “Nënë Tereza”, në repartin e djegieve në gjendje së rëndë shëndetësore. U kryen veprimet procedurale dhe hetimore, ku gjatë kontrollit në banesën e Elton Alias, u gjetën dhe sekuestruan 4 televizorë plazma, dy kompjutera laptop, një aparat fotografik dhe dy thika të përmasave të ndryshme, sende të cilat dyshohen se janë të vjedhura, pasi nuk deklarohet origjina e blerjes së tyre. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve të ftohta” dhe të “Plagosjes së rëndë me dashje”, parashikuar nga nenet 279 e 88 të Kodit Penal.

Aksidentet, policia e Durrësit vendos 637 gjoba dhe bllokon disa makina

Durrës – Pas aksidenteve të shumta në qarkun e Durrësit, policia u detyrua të marrë masa të rrepta ndaj drejtuesve të mjeteve. Për këtë arsye, policia ka ngritur 6 pika kontrolli në autostradë në të dy drejtimet, 5 pika kontrolli në segmentin Ura Dajlanit-Plepa, 2 pika kontrolli në aksin Plepa-Shkëmbi i Kavajës dhe 2 pika kontrolli në aksin Stacioni i Trenit - Rotonda në Shkozet. Burime policore thanë për gazetën se në rrugët brenda qytetit janë ngritur 6 shërbime të qarkullimit rrugor. Burimet policore të Durrësit sqarojnë se nuk është toleruar asnjë rast shkeljeje duke gjobitur kështu drejtuesit e mjeteve. Vetëm paraditen e sotme janë vendosur 637 gjoba, si dhe janë bllokuar 30 automjete pa dokumentacion përkatës, 2 motorë, janë hequr 20 dëshmi aftësie për drejtim automjeti për lëvizje me shpejtësi tej normave të lejuara dhe pasi drejtuesit kishin përdorur pije alkoolike.

Kontrabanda, arrestohen dy persona për mallra të deklaruara si ndihma

Tiranë – I deklaronin si ndihma për komunitetin të ardhura nga jashtë, duke shmangur pagesat doganore, por dje falsifikimet e dokumenteve u kanë nxjerrë të palarat në shesh dy personave njëri kryetar i një shoqate dhe tjetri anëtar iu Këshillit Bashkiak të Kamzës. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se për këtë ngjarje janë arrestuar Kasem Ksera, kryetari i Shoqatës “Bujaria shqiptare” si edhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Kamzës, Mëhill Hasani. Nga ana tjetër, bëhet me dije se forcat policore kanë marrë si masë ndaj këtij aksioni, edhe sekuestrimin e 180 mijë palëve këpucë. Arrestimet janë bërë nën akuzën “kontrabandë dhe falsifikime” duke sqaruar se këta dy persona, duke falsifikuar udhëzimet, kanë tentuar që të fusin në Shqipëri mallra kontrabandë.

I këputën varësen e floririt nga qafa një gruaje, u kapën kur shkuan që ta shisnin

Korçë– Forcat e policisë së Korçës kanë arrestuar në flagrancë dy persona, të cilët i kanë këputur varësen e floririt nga qafa një gruaje dhe më pas kanë shkuar për ta shitur tek një dyqan bizhuterish në këtë qytet. Sipas të dhënave policore, këta persona janë 18-vjeçari S. S., i dënuar më parë për vjedhje dhe Armando Dule, 23-vjeç, edhe ky banues në Korçë. Janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim” parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›