Makina del nga rruga, vdesin tre persona në rrugën Shkodër-Velipojë
Shkodër - Një aksident i rëndë është shënuar mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, ku automjeti, me të cilën udhëtonin tre persona ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal.
Sipas të dhënave policore mbi ngjarjen tragjike, ajo ka ndodhur përkatësisht në vendin e quajtur “Ura e Ded Gjo Lulit” dhe makina në fjalë, ka qenë një autoveturë tip BMV me ngjyrë të zezë dhe targat e huaja FL 03YNC. Ajo drejtohej nga Përparim Haliçaj dhe ka dalë nga rruga duke rënë në kanalin me ujë pranë rrugës dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen tre persona. Bëhet e ditur se ata janë vëllezërit Përparim dhe Besim Halil Halicaj, përkatësisht 36 dhe 32 vjeç lindur në Gradec të Malësisë së Madhe dhe banues në lagjen Guerrile, Shkodër. Ndërsa viktima tjetër mësohet se është Selami Hakaj, 27 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Grudë Fushë rrethi Malësi e Madhe, i cili udhëtonte si pasagjer në automjetin e lartpërmendur. Policia mendon se shkaku i aksidentit mund të ketë qenë pagjumësia, ndërsa një grup hetimor ka shkuar tashmë në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale.
Itali, kapet shqiptari që ekzekutoi Ilir Krypin, në kërkim edhe 2 të tjerë
Hekuran Sulmataj, 25 vjeç, është arrestuar dje në mëngjes në Romë të Italisë, pasi dyshohet se ekzekutoi një bashkatdhetarin e tij. Sipas hetuesve italianë vrasja e Ilir Krypit kishte ndodhur pasi ai kishte tentuar të ndihmonte një prostitutë rumune të shkëputej nga kontrolli i organizatës. Hekuran Sulmataj- thonë hetuesit- ishte kapoja e bandës së shqiptarëve të përbërë nga 5 vetë, 2 prej të cilëve tashmë të prangosur, u arrestua në një apartament në kryeqytetin italian së bashku me një tjetër bashkatdhetar. Ky i fundit akuzohet se ka ndihmuar 25-vjeçarin t’i shpëtonte arrestimit të policisë. Sipas medias italiane, gjatë kontrollit në banesë policia kishte arritur të gjente dhe armën pistoletë e kalibrit 6.35 me të cilën dyshohet se mund të jetë kryer krimi. Sipas të dhënave të hetimit, 25-vjeçari ka mbajtur viktimën teksa një bashkëpunëtor i tij e ka qëlluar në kokë. Përveç akuzës së vrasjes, Hekuran Sulmataj akuzohet për dhunë seksuale, sekuestrim personi dhe shfrytëzim prostitucioni.
31 Korrik 2009