E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Prapaskenat e Nanos dhe Berishës deri në zgjedhjen e Bamir Topit

 

Mbase në këtë kapitull, libri “Midis Nanos dhe Berishës”, që ish-presidenti Alfred Moisiu pritet të nxjerrë këto ditë në treg, i korrespondon më shumë domethënies së titullit. Është koha kur mandati i tij ka mbaruar dhe kur zgjedhja e një presidenti të ri kalon përmes prapaskenave të aktorëve më radikalë të politikës shqiptare, të vendosur në pozicione aspak të ngjashme me rastet parakaluese. Ish-presidenti rreshton të gjitha goditjet në adresë të tij, qëndrimet e ndryshuara të Berishës, akuzat e Nanos si dhe për mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe të opozitës. 

Alfred Moisiu

Kur Nano u shfaq në një emision televiziv në TV “Klan”, që zakonisht i rezervohej vetëm të preferuarve të Berishës dhe deklaroi pse donte të zgjidhej President, solli si argument që vetëm ai mund të ishte në gjendje të shuante sherret në politikën shqiptare! Këtë ai e mbështeste te qëndrimi i kohëve të fundit i Berishës ndaj tij. Vërtet shihej një zbutje e marrëdhënieve të tyre, por kjo s’dihej se sa mund të zgjaste, sepse edhe me mua Berisha në fillim mirëkuptohej shumë mirë, por më pas, kur s’iu plotësuan dëshirat e veta, ndryshoi. Po kështu u veprua edhe me z. Bamir Topi, të cilin e kishte dhe nënkryetar të Partisë, por ç’ndodhi më pas?! Një ftohje e plotë e marrëdhënieve midis tyre, sepse Berisha kërkon që gjithçka të bëhet si do ai. Më 10 prill, Nano bëri një deklaratë paksa të çuditshme: “Presidenti nuk kalon nga zyra e Ramës”! Dhe ky deklarim i tij u bë menjëherë pas thënies së Berishës se Presidenti nuk do të jetë nga e majta.
Kurse disa drejtues të partive të majta kërkonin që zgjedhja e Presidentit me çdo kusht të bëhej me konsensus, ndryshe do të kalonin në zgjedhje të reja. Më 16 maj në një intervistë me gazetarin Sokol Balla te “Top Channel”, i cili midis të tjerave nguli këmbë se çfarë mendimi kisha për rikandidim, i thashë se unë do të vazhdoja detyrën time deri në fund të mandatit, mund të jem dakord vetëm nëse forcat politike do ta kërkojnë rikandidimin tim. Por duke parë qëndrimin e maxhorancës, sikurse e përshkrova më sipër, një gjë e tillë ishte e vështirë të ndodhte.
Ndërkohë gjatë intervistës në “Top Channel” më thanë se po qarkullonte mendimi që, në qoftë se nuk zgjidhet Presidenti, atëherë drejtimin e shtetit e merr kryetarja e Kuvendit. Gazetari kërkoi mendimin tim se si do të veproj unë në këtë rast? E kisha dëgjuar një variant të tillë, por nuk i kisha vënë rëndësi, ngaqë për mua nuk ekzistonte si problem, sepse një alternativë e tillë nuk ishte i bazuar fare në Kushtetutë, gjë që ishte pohuar edhe nga konstitucionalistët me të cilët isha konsultuar. Dhe kjo shprehet mjaft qartë në nenin 91 të Kushtetutës, pika e parë: “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi për të ushtruar funksionet e tij, ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”. Pra, në ligjin themeltar të vendit është thënë më se qartë se kur kryetari i Kuvendit mund të marrë funksionet e Presidentit, në këtë mes nuk kishte vend për supozime ose interpretime. Kështu që pyetjes së z. Balla, i dhashë përgjigje të prerë se nuk kisha ndërmend t’ia lëshoja zyrën askujt tjetër, veçse atij që do të zgjidhej si Kryetari i ri i Shtetit nga Kuvendi i Shqipërisë. Por përgjigjja ime kushtetuese i ngacmoi më tej kundërvëniet e politikanëve të maxhorancës dhe mediave pranë tyre. Ndër të parët që nxitoi të fliste ishte z. Godo, i cili deklaroi se çështja e vazhdimësisë së Presidentit, pas mbarimit të mandatit nuk është e përcaktuar. Atë duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, ndonëse e dinte fare mirë që nuk kishte asgjë për të interpretuar. Më pas vazhduan me deklarata se po shkelja Kushtetutën, z. Astrit Patozi, Pal Dajçi, Preç Zogaj, Kreshnik Spahiu e të tjerë. Thuajse gjithë maxhoranca filloi të çirrej para mikrofonave se pas datës 25 korrik Presidente do të jetë zonja Topalli. Ndërkohë dhe Fatos Beja, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, deklaroi se nuk e lëmë Moisiun asnjë ditë më shumë pas 24 korrikut, kurse Mero Baze te “NTV” bërtiste se kjo do të jetë luftë për jetë a vdekje. Sigurisht që nuk mbeti pas dhe Blendi Fevziu me komentet e tij. Por kulmin e budallallëqeve e arriti gazeta “55”, kur shkruante: “Presidenti po shkon drejt arrestimit”! Ato ditë folën edhe shumë konstitucionalistë. Midis tyre Profesor Luan Omari, i cili u shpreh se Kushtetuta jonë nuk krijon vakum. Po të njëjtin mendim dhanë Aurela Anastasi dhe Spartak Ngjela. Pozitivisht reaguan edhe përfaqësuesit kryesorë të opozitës.
Kurse gjatë takimeve me homologët e mi, kryetarë shtetesh, të cilët kishin ndjekur debatin për zgjedhjen e Presidentit te ne, interesoheshin nëse kishte shanse që të zgjidhesha unë. Gjatë bisedës me njërin prej tyre, thashë se kundërshtari im kryesor është kryeministri Berisha. “Po, më tha, përherë kryetarët e qeverive janë kundër presidentëve, aq më tepër në rastet kur bëhet fjalë për rizgjedhje, pasi në këto raste pozicioni i Kryetarit të Shtetit forcohet më shumë, gjë që ata nuk e duan”. Ndërsa në një takim gjatë muajit maj, kur po bisedonim lidhur me kontaktet në popull, u thashë: “Unë nuk kam probleme me popullin shqiptar, problem për mua përbëjnë politikanët shqiptarë, sepse me sa duket atyre nuk u pëlqen filozofia ime për ndërtimin e një shteti të vërtetë ligjor, kurse populli këtë kërkon. Mënyra e zgjedhjes së Presidentit është një defekt te ne, sepse ai zgjidhet nga Kuvendi, domethënë nga politika, që është më shumë rezultat pazarllëqesh, kurse te ju zgjidhet direkt nga populli. Kështu që mënyra e zgjedhjes te ju është më e mirë, sepse shprehet drejtpërdrejt vullneti i popullit”.
Pra, pas filtrimit të emrave, si kandidatura për zgjedhje për President të Republikës po spikatnin z. Bamir Topi dhe Fatos Nano, të mbështetura nga e djathta. Megjithëse ende nuk kishte mirëkuptim midis forcave politike, Kuvendi më 7 qershor u mblodh dhe vendosi që më 20 qershor të kryhej votimi i parë për Presidentin e ri. Megjithëse ato ditë isha i impenjuar me organizimin e vizitës së Presidentit Bush, duhej të përqendroja vëmendjen edhe në problemin e zgjedhjes së Presidentit, për të mos pasur situata të pakëndshme, por një zhvillim normal të procesit.
Kurse Berisha, pa u lodhur, me të gjithë mjetet e propagandës që dispononte vazhdonte goditjen dhe denigrimin e figurës time në të gjitha mënyrat, për të minimizuar punën time, me qëllim që të krijonte një bindje të rreme para shqiptarëve, se për të gjitha veprimet, sipas tij të padrejta, nuk mund ta mbështes kandidaturën time. Një gjë të tillë tha edhe më 14 qershor, gjatë emisionit “Opinion” në TV “Klan”, me Blendi Fevziun, ku tema e debatit ishte zgjedhja e Presidentit. Berisha filloi të radhiste pakënaqësinë e tij ndaj meje, që unë gjoja kisha mbështetur zgjedhjen e Subashit në KQZ, gjë të cilën e kam sqaruar gjatë dhe qartë në këtë libër, por edhe në takime me të, vazhdoi me ankesën për mosshkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku si dhe lejimin e Artan Gjermenit në KLD, ku sipas tij unë duhet ta kisha nxjerrë nga mbledhja. Çështjen “Sollaku” e kam sqaruar më parë dhe nuk kam ç’të shtoj më. Ndërsa për sa i përket Gjermenit, që maxhoranca nuk la gjë pa thënë, pas largimit tim si President, emrin e tij nuk e përmendën më! Paraqiti ankesë se unë kam penguar realizimin e reformave. Sidoqoftë nga publiku i gjerë dihen përpjekjet e mia për të pasur ligje të vërteta, të bazuara në Kushtetutë dhe në përputhje sa më të mundshme me grupet e interesit. Por më qesharakja ishte se unë, sipas tij, kisha kaluar nga e djathta tek e majta. Nuk po merrem me këtë akuzë, pasi e kam shpjeguar më parë se cilat ishin parimet e mia si Kryetar Shteti.
Për koincidencë, si për të hedhur poshtë shpifjet dhe trillimet e bëra në adresën time nga Berisha, një javë më vonë Oli Rehn në një intervistë të tij, botuar në gazetën “Albania” kishte deklaruar: “Kam respekt të lartë për Presidentin Moisiu. E vlerësoj rolin e tij në përmbushjen e normave evropiane dhe përpjekjet që ai ka bërë për të nxitur dialogun politik në Shqipëri, sikurse veproi në rastin e zgjedhjeve lokale të shkurtit”.
Po ato ditë, si për ironi, në një emision të televizionit “NTV” doli z. Fatos Nano. Midis të tjerave, kur drejtuesi i emisionit i tha që Moisiu anon nga e majta, ai reagoi duke i thënë se ky konstatim nuk qëndron, sepse ai është ndeshur edhe me mua, gjatë periudhës që ishte Kryeministër. Ndërsa disa ditë më pas, në “Top Channel”, tek emisioni “Deja Vu”, deklaroi jo pa qëllim që Presidenca nuk ka qenë reformative. E “mirëkuptoja” qëndrimin e z. Nano, derisa kishte vendosur për të kandiduar si President. Edhe pse në të gjitha rastet nuk bëra asnjë lloj reagimi, prapëseprapë pati opinione dhe shkrime të ndryshme jo vetëm pozitive, por edhe negative. Megjithatë kisha vendosur të vazhdoja punën time për detyrat që më takonin pa u marrë me komentet rreth procesit. Rama në “News 24” u shpreh pozitivisht, duke thënë se Moisiu e ka drejtuar institucionin e Presidencës ndryshe nga paraardhësit e tij. Ato ditë pata takime edhe me disa drejtues të partive të të dy krahëve të politikës, të cilët vlerësonin kandidaturën time. Më e spikatur ka qenë mbështetja këmbëngulëse e Skënder Gjinushit, i cili fillimisht nuk ka qenë ndër përkrahësit e mi, por, si e kam treguar më parë, pasi më njohu nga afër, krijoi tjetër përshtypje për mua, duke shprehur edhe sot e kësaj dite konsideratën e tij për punën time pesëvjeçare si President. Po kështu mendime vlerësuese ka dhënë për këtë periudhë edhe Ilir Meta, duke qenë ndër të parët, që doli me propozimin për rikandidimin tim, apo edhe Nard Ndoka dhe ndonjë tjetër. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë ata politikanë, që në mënyrë të sinqertë shprehën mendimin e tyre vlerësues për punën time si President i Republikës.
Ben Blushi më 27 qershor, deklaroi në Kuvend: “Presidenti më i mirë nga viti 1991 ka qenë Moisiu”. Po atë ditë, Berisha, çuditërisht me tone të qeta, tha: “Ne nuk kemi thënë që jemi kundra Moisiut”! Kuptoheshin nga të gjithë, se fjalët e Berishës thuheshin vetëm për demagogji, pasi ai përherë i kishte kundërshtuar egërsisht mendimet e mia për të pasur një shtet të vërtetë ligjor. Pra, së fundi, pas disa mbledhjesh që u bënë, si në komisionin ndërparlamentar partiak të ngritur për të gjetur një president konsensual, ashtu edhe në seancat parlamentare, mezi u arrit që në seancën e katërt Kuvendi të zgjidhte z. Bamir Topi si President të Shqipërisë. Me të dëgjuar vendimin e Kuvendit, mora në telefon z. Topi për ta uruar dhe në të njëjtën kohë i kërkova që të bënte një korrigjim date, nga deklarata që kishte bërë zonja Topalli në seancë, që ceremonia e ndërrimit të detyrave të presidentëve do të bëhej të hënën, që i takonte data 23 korrik, kurse sipas Kushtetutës i takonte më 24 korrik, për të cilën Topi ra dakord. Megjithëse koha ishte shumë e kufizuar, mora të gjitha masat e duhura për të bërë një dorëzim ceremonial, ashtu sikurse kisha deklaruar, që ceremonia do të ishte akoma më e mirë se ajo e vitit 2002. Në aktin e dorëzimit, i dhashë Presidentit Topi një dosje me materiale për problemet që ishin në ndjekje si dhe gjithë materialin e hartuar për reformën në drejtësi. Gojarisht biseduam edhe për disa probleme të ndryshme, për të cilat u mirëkuptuam...

Ish-presidenti zbardh bisedën me ish-presidentin rus
“Ç’biseduam me Putinin në Zagreb dhe si m’u përgjigj për Kosovën”

...Megjithëse ndodhesha në fund të mandatit, mora pjesë në disa takime ndërkombëtare të programuara kohë më parë, ku dua të veçoj një prej tyre, i cili besoj se paraqet interes. Në vazhdim të takimit që bëmë një vit më parë në Varna të Bullgarisë, ishte planifikuar një Samit i presidentëve të Rajonit për çështjet e energjisë më 23 qershor në Zagreb. Presidenti Mesiç, organizatori i takimit, kishte ftuar për të marrë pjesë në të edhe presidentin rus Putin. Meqenëse presidenti Putin ndodhej aty, mendova ta takoja, qoftë edhe për ndonjë bisedë spontane. Takimin me të e quaja të nevojshëm dhe të dobishëm si president i një shteti anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe aleat i Serbisë, në qëndrimet intransigjente në dëm të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë bisedës i vura në dukje se Kosova përfaqëson një rast sui-generis dhe nuk ka përse të bëhen analogjira me raste të ndryshme në rajone të tjera të botës. Se Kosova kishte ardhur deri këtu, pasi më parë kishte pasur statusin e njësisë konstituive të Federatës Jugosllave dhe jo thjesht e vetëm si një krahinë nën hijen e Serbisë. Se Serbia dhe Millosheviçi e zhveshën në mënyrë arbitrare nga ky status dhe anuluan Kushtetutën e vitit 1974, pikërisht në vitin 1989, kur Evropa njohu shembjen e Murit të Berlinit dhe fillimin e fundit të sistemit komunist. Që në Kosovë u ushtrua një gjenocid e spastrim etnik ndaj shqiptarëve deri në largimin me dhunë të më se një milion prej tyre, për ta boshatisur Kosovën. Kjo çoi në ndërhyrjen ndërkombëtare (të NATO-s) për të shmangur këtë tragjedi të turpshme në mes të Evropës në vitin 1999. Duke përfunduar i thashë se ne në Shqipëri ndiqnim me interesim pozitën dhe rolin e Rusisë si anëtare e Grupit të Kontaktit, çka ajo e ndryshoi dhe Rusia adoptoi një qëndrim rigjid, sidomos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke penguar zbatimin e Planit Ahtisari, që hapte rrugën për zgjidhjen e problemit. Nga fjalët e presidentit rus Putin, sido që ai u mundua të theksonte se Rusia nuk kishte asgjë kundër shqiptarëve, në thelb e pranonte se Moska nuk kishte asnjë mëdyshje në mbështetjen pa kushte ndaj Serbisë.                                 a.moisiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›