E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat e gjakut: Kemi mungesa, sidomos për grupe të rralla

Zonja e Parë e vendit dhuron gjak për shërbimin e Pediatrisë së Specialiteteve në spitalin "Nënë Tereza". Teuta Topi, bashkëshortja e Presidentit Bamir Topi, ka dhënë shembullin e saj për fëmijë që vuajë nga sëmundje të vështira e që kanë nevoja emergjente për dhurime të gjakut. Nisur nga situata problematike e rezervave të këtij elementi thelbësor për spitalet, bashkëshortja e Presidentit të Republikës, bashkë me kontributin e saj ka dhënë apel për ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve në gjendje të mirë shëndetësore. Bankat e gjakut raportojnë se janë ende shumë larg raportit të rezervave me plotësimin e nevojave, ndërsa mungesat janë të shumta. Kontingjenti më i madh i rezervave të gjakut përdoret për të sëmurët kronikë, në mënyrë të veçantë talasemikët. Bankat e gjakut nëpër spitale raportojnë se është rritur numri i dhuruesve vullnetarë, por pavarësisht kësaj janë të pamjaftueshëm për të përmbushur të gjitha nevojat spitalore. Problem gjithashtu mbeten edhe grupet e ndryshme të gjakut, gjetja e dhuruesve të kësaj kategorie është edhe më e rrallë.

Pacienti Ardit Bala nuk ka mbushur ende 4 vjeç dhe prej katër muajsh i është shfaqur një sëmundje e rëndë në gjak, çka e bën jetën e tij të varur nga të tjerët. Prindërit u bëjnë thirrje për ndihmë të gjithë personave me grupin e gjakut B negativ. Arditi ka një grup gjaku të vështirë, B negativ dhe vetëm personat që kanë këtë grup gjaku mund ta ndihmojnë. Babai i tij, Flamur Bala, bën apel për përmirësimin e shëndetin të të birit, gjendja e të cilit muajin e fundit është rënduar shumë. Mjekët thonë se fëmija ka një çrregullim të palcës kurrizore, që nuk i prodhon siç duhet elementet e saj, ndërsa shkaku për sëmundjen mbetet i panjohur.

Një natë më parë, situata ishte alarmante. Kërkohej gjak për Arditin, por as në spital dhe as në qendrën e gjakut nuk gjendej, pasi fëmija tashmë kërkonte shërbim të specializuar.

Nisur nga apeli drejtuar qytetarëve, 47-vjeçarja nga qyteti i Vlorës, Eli Aliko, mësuese muzike, dje ka shkuar në bankën e gjakut të spitalit të Vlorës dhe ka dhuruar gjak në ndihmë të katërvjeçarit. "Meqë ne kemi grup të rrallë gjaku, duhet të japim ndihmë. U bëj thirrje të gjithë personave të shëndetshëm, që kanë këtë grup të rrallë, të dhurojnë gjak për fëmijën 4-vjeçar që po lufton me jetën", tha dje mësuesja Aliko.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›