E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat fituan 21 milionë dollarë në tre mujorin e tretë

Emirjon Senja

Sistemi bankar ka vijuar në tërësi ecurinë pozitive të tij edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Shoqata e Bankave raporton për një fitim rreth 21 milionë dollar të realizuar përgjatë periudhës qershor-shtator, e cila gjithashtu është edhe më e madhe në raport me periudhën paraardhëse. Bankat e mbyllën tremujorin e dytë me një fitim 14 milionë dollarë, ndërsa tre mujorin e parë me një fitim 18 milionë dollarë. Në total, fitimi i arritur nga sistemi bankar në Shqipëri që prej muajit janar, përllogaritet në rreth 51 milionë dollarë. Kjo shifër është më e mirë edhe krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e fitimit gjatë këtij tre mujori përkon me periudhën kur është maturuar pjesa më e madhe e borxhit që qeveria ka marrë në tregun vendas, megjithatë ky është një tregues që sistemi bankar ka një ecuri të mirë. Kjo vërehet edhe tek numri i të punësuarve. Bankat e mbyllën tremujorit e dytë me rreth 6 000 punonjës, ndërkohë që deri në fund të shtatorit deklarojnë se kanë hapur edhe 500 vende të reja pune dhe rreth 64 filiale më shumë.

Edhe pse kanë një fitim të kënaqshëm, kjo nuk është periudha më e mirë për bankat. Probleme të tilla si rritja e kredive të këqija dhe vonesat me ekzekutimin e kolateralit, etj., kanë bërë që pesë banka të rezultojnë me bilanc negativ gjatë këtij tre mujori. Në Shqipëri operojnë aktualisht 16 banka, tetë prej tyre kanë deklaruar se e kanë mbyllur tre mujorin me fitim, tre nuk kanë deklaruar të dhënat, ndërsa pesë të tjera janë deklaruar me bilanc negativ. Dalja me humbje përgjatë një apo dy periudhave tre mujore nuk konsiderohet problematike nga ekspertët, pasi ecuria në një afat të shkurtër mund të ndikohet nga faktorë të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me perfomancën e përgjithshme të bankës.

Deri më tani, bankat kanë dhënë rreth 5.4 miliardë dollarë kredi. Nga këto, rreth 18.4 për qind, ose afërisht 1 miliardë dollarë mësohet se janë kredi me të cilat bankat hasin probleme për rimarrjen e investimit. Ndërkohë, deri në fund të shtatorit, bankat kanë deklaruar një total asetesh prej rreth 10 miliardë dollarë me një rritje prej rreth 600 milionë dollarë krahasuar me një vit më parë. Depozitat nga ana tjetër përllogariten në rreth 8 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e depozitave janë prej individëve, ndërkohë që bizneset janë të prirur për të marrë kredi.

ROA mesatare e bankave

Norma e rikthimit të aseteve (ROA) është treguesi i performancës së kompanisë. Ajo përfitohet nga pjesëtimi i fitimit neto të kompanisë me totalin e aseteve.

Tre mujori I 2010                0.3 %

Tre mujori II 2010              0.8 %

Tre mujori III 2010             0.7 %

Tre mujori IV 2010             0.7 %

Tre mujori I  2011               0.4 %

Tre mujori II 2011              0.4 %

Tre mujori III 2011             0.25 %

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›