Obeziteti kërcënon fëmijët, 20% mbipeshë
Mungesa e aktiviteteve sportive shton numrin e personave mbi peshë. Ministri Tafaj: Edukimi fizik në kurrikulën e shkollave të mesme
Mungesa e theksuar e aktivitetit fizik po shton personat që vuajnë nga obeziteti.
Studimet më të fundit të bëra në vendin tonë raportojnë se mbi 30% e popullatës vuajnë nga mbipesha, duke u bërë një kontingjent në risk për sëmundjet kardiovaskulare e nga ana tjetër duke ulur jetëgjatësinë mesatare të popullsisë. Ndërkohë që obeziteti dhe kequshqyerja po kthehen në një nga problemet më shqetësuese për Shqipërinë, ku të paktën 20 % e fëmijëve janë obezë. Duke marrë shkas nga kjo situatë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka bërë të ditur se lënda e Edukimit fizik do të përfshihet gjerësisht në kurrikulat e shkollës së mesme. Këtë deklarata kreu i Arsimit e bëri dje në konferencën kombëtare për edukimin fizik. Në këtë aktivitet ku morën pjesë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, dhe personalitete të njohura të sportit shqiptar, u pohua se mungesa e theksuar e aktivitetit fizik po shton personat që vuajnë nga obeziteti. Ky shqetësim u ngrit edhe nga specialistët që merren me edukimin fizik, të cilët u shprehën se në vendin tonë mungojnë qendrat sportive e planet konkrete për të luftuar obezitetin. Rektori i Universitetit të Sporteve, Vesel Rizvanolli kërkon që të investohet për krijimin e hapësirave sportive, pasi çdo investim në sport ul deri në katërfish investimet në shëndetësi. OBSH rekomandon që fëmijët të bëjnë të paktën 60 minuta aktivitet sportiv në ditë, ndërsa të rriturit, të paktën deri në 30 minuta. Ndaj ekspertët kërkojnë që të rriten investimet në ambientet sportive të shkollave, ku të rinjtë të kenë mundësi të luajnë edhe pas mësimit. Një problem i madh mbeten mungesat e hapësirave publike në qytetet e mëdha, por edhe investimet e pakta në ambientet sportive ku zhvillohen sporte të veçanta, ku nuk mund të marrin pjesë një përqindje e lartë e qytetarëve.