E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimbursimi TVSH-së, ul të ardhurat në buxhet

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti, thotë se rimbursimi i shpejtë i kësaj takse ka ulur nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër ka ndikuar në performancën pozitive të biznesit ndaj efekteve të krizës.

Sipas tij, për realizimin vjetor të të ardhurave duhet të shihet tendenca e dy muajve të fundit të vitit. Sa i takon një skenari për të ndërhyrë sërish në buxhetin e shtetit për shkak të mosrealizimit të nivelit të të ardhurave sipas parashikimit, duke çuar në një rritje të defiçitit buxhetor, Z. Teliti theksoi se nuk shihet e nevojshme ndërhyrja në buxhetin e shtetit, pasi ekzistojnë mundësi të tjera për të përmirësuar këto të dhëna, siç është ndërhyrja në fondin e kontigjencës.

Të ardhurat e mbledhura nga TVSH-ja në buxhetin e shtetit për 10 muajt e parë të këtij viti llogariten 95,441 milionë lekë, me një rritje prej 1.8 % përkundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2010. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë kësaj periudhe u mblodhën rreth 2,020 milionë lekë më pak se sa ishte planifikuar në fillim të këtij viti. Në buxhetin e shtetit për vitin 2011 parashikohej të mblidheshin 97,461 milionë lekë të ardhura nga Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)./Start/

                                                                                             2011-11-20 09:10
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›