E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK kërkon hapjen e një konsullate shqiptare në Maqedoni

Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar hapjen e një konsullate shqiptare në Manastir.

Duke folur për agjencinë e lajmeve INA pas turit në Maqedoni, kreu i kësaj lëvizjeje, Kreshnik Spahiu, i ka kërkuar qeverisë së Tiranës hapjen e një konsullate shqiptare në Manastir, si një domosdoshmëri e kohës, në të mirë të bashkëjetesës ndëretnike.

Kam dy mesazhe apo kërkesa që do tu drejtoj zyrtarëve në Tiranë: E para është që Qeveria Shqiptare të hapë Konsulatë në Manastir sa më parë; dhe e dyta është që të interesohet edhe për respektimin e reciprocitetit, e këtu e kam fjalën për respektimin e gjuhës shqipe me interes të bashkëjetesës, sepse për të bashkëjetuar duhet njohur edhe gjuha e bashkëvendasve, që në rastin konkret nënkupton njohjen e gjuhës shqipe nga bashkëvendasit maqedonas, theksoi Spahiu.

Duke u ndalur në integrimin europian, Spahiu ripërsëriti edhe një herë dhe riafirmoi idenë se shqiptarët duhet të shkojnë të bashkuar drejt Europës. Tani, koha e luftërave ka përfunduar, ajo kohë ka mbaruar. Tani është kohë tjetër, është kohë që ka vetëm luftë idesh dhe ne afirmojmë këto ide bashkëkohore të integrimit, theksoi Spahiu.

Ideja e hapjes së një konsullate shqiptare në Manastir, e cila është shprehur edhe më parë, është përkrahur deri tani vetëm presidenti Bamir Topi. Përmes një përgjigjeje të lëshuar nga Presidenca, Topi ka mbështetur idenë e hapjes së konsullatës shqiptare në Manastir, por nuk ka ende një reagim nga Ministria e Jashtme dhe qeveria e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›