E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat godasin ekonominë kosovare

Bankat komerciale në Kosovë kanë ngritur normat e interesit për kredi. Ekspertët e çështjeve ekonomike kanë reaguar ndaj kësaj ngritjeje, duke vlerësuar se një gjë e tillë do të prodhojë efekte negative ndaj bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Rritja e normave të interesit, të ashtuquajtura pozitive, në kredi nga bankat komerciale në Kosovë, është kundër interesave të biznesit dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike. Bankat komerciale kanë ngritur normat e interesit për kreditë personale nga 10.8 në 12 për qind, për kreditë për biznes nga 12 në 15.6 për qind, ndërkaq për agrokreditë nga 15 në 24 për qind.

Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, vlerëson se normat e interesit të kredive, të cilat i kanë dhënë bankat komerciale në Kosovë, kanë qenë të larta edhe deri më tash, ndërkohë që ngritja e tyre, sipas tij, do të reflektojë efekte negative. “Tash, pasi që janë ngritur këto norma, efektet e kredisë do të jenë shumë më negative sesa deri më tani, për arsye se kushtet me të cilat tani ato jepen, do të thotë me këto norma kaq të larta të interesit, e zvogëlojnë kërkesën për kredi”.

“Vetë fakti i zvogëlimit të kërkesës për kredi, zvogëlon dhe kufizon mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës dhe normalisht edhe të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, lidhur me këtë, mbi politikën kreditore nuk mund të vendosin në mënyrë të pavarur bankat komerciale, edhe pse ne veprojmë në ekonominë e tregut”, thotë Limani.

Edhe Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se ngritja e normave të interesit për kredi nga bankat komerciale, është fakt shqetësues dhe, sipas tij, do të ketë efekte negative enorme në komunitetin e biznesit.

“Do të ndikojë në mënyrë direkte apo indirekte në moszgjerimin e kapaciteteve prodhuese apo të ekzistimit të bizneseve, do të ndikojë në mospërmirësimin e pasqyrës së këmbimit tregtar të Kosovës”.

Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se bankat komerciale, përmes ngritjes së normave të interesit për kredi, në mënyrë indirekte po përpiqen që t’i ndalojnë kreditë dhe në këtë mënyrë ta sigurojnë veten nga situata e krijuar nga kriza financiare botërore. (REL)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›