E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet me dy struktura të reja

Sistemi tatimor i vendit plotësohet edhe me dy struktura të reja të planifikuara për të qenë në shërbim të tatimpaguesve. Fjala është për avokatin e tatimpaguesve dhe për këshillin konsultativ të tatimpaguesve, dy funksione të rregulluara me ligj dhe që janë miratuar edhe nga komisioni parlamentar i ekonomisë.

“Krijimi i strukturës së Avokatit të Tatimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të jetë si një strukturë për përcjelljen e informacionit eficent dhe për trajtimin e gjithe problematikave që has sot tatimpaguesi në raportet me administraten tatimore, vonesat e paarsyeshme, zgjidhje jo të drejtë. Do të jetë pikërisht avokati i tatimpaguesve një strukturë e cila do të marrë këto shqetësime, këto problematika që has tatimpaguesi për ta përcjellë dhe për ta zgjidhur në mënyrë e duhur brenda strukturave të tatimeve” tha Arjana Dyrmishi, drejtore e politikave fiskale ne Ministrine e Financave.

Këshilli konsultativ për tatim paguesit do të funksionojë në ministrinë e financave dhe do të dominohet në pjesëmarrje nga përfaqëues të biznesit. Ai do të merret me procedurat dhe aspektet e zbatimit të ligjeve fiskale.

“Synimi i krijimit të këtij këshilli ka të bëjë me krijimin e një strukture në Ministrinë e Financave që do të shërbejë si një urë lidhëse midis institucionit të ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Komitetit të Biznesit për të marrë të gjitha problematikat e tyre” tha Dyrmishi.

“Shpeshhere ne kemi vuajtur nga abuzivizmi i administratës tatimore që ka nxjerrë qarkore apo udhëzime pa i interpretuar me tatimpaguesit. Që sot ata do të jenë të mbrojtur, do të jenë pjesë e tavolinës, pjesë e tryezës ku do të diskutohen këto procedura dhe praktika” deputeti demokrat Florion Mima.

Si për avokatin e tatimpaguesve ashtu edhe për këshillin konsultativ atributet e punës i cakton Këshilli i Ministrave. Funksionimi i këtyre dy institucioneve pritet të nisë menjëherë pas miratimit të ligjeve përkatëse të tyre në Kuvend.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›