Bankat greke cdo dite e me shume te boshatisura
Shtohen tërheqjet e kursimeve nga bankat greke gjatë këtyre ditëve në prag të zgjedhjeve elektorale të 17 qershorit. Qytetarët grekë po tërheqin gjithnjë e më tepër shuma të mëdha nga depozitat bankare duke shtuar shqetësimin e bankierëve për vështirësitë me të cilat do të përballet sektori bankar. Sipas tyre çdo ditë nga qyetarët tërhiqen deri në 800 milionë euro kryesisht nga bankat më të mëdha dhe sipas shitësve të dyqaneve një pjesë e këtyre parave shpenzohet për të blerë ushqime të paketuara nga frika për një rikthim të dhrahmisë për shkak të zërave që qarkullojnë se zgjedhjet mund të fitohen nga liderët e të majtës radikale. Kjo situatë e krijuar për sistemin bankar ka mbledhur një ditë më parë në një takim të nivelit të lartë ministrin e financave Giorgos Zanias, guvernatorin e BQG Porvopulos, drejtuesin e Institutit për stabilitetin monetar, Thomopoulos dhe presidentin e Bashkimit të Bankave greke, Rapanos. Sipas burimeve nga ministria e Financave greke në këtë mbledhje është diskutuar për problemet që lidhen me normalizimin e tregut bankar pas rikapitalizimit me sukses të katër bankave të para Ethniki Trapeza, Alpha Bank, Banca e Pireut dhe Eurobank. Por largimi i kapitalit grek jashtë vendit që pas 6 majit ka shqetësuar më shumë bankat të cilat janë të detyruara të marrin masa për të përballuar këtë boshatisje të eurove nga arkat e tyre. Sipas siti Skai.gr, për shkak të krizës ekonomike dhe paqëndrueshmërisë politike në vend, çdo ditë eksportohen nga Greqia nga 100 deri në 500 milionë euro. Vetëm në muajin maj sipas këtij burimi janë tërhequr dhe depozituar jashtë Greqisë nga 5 deri në 6 miliardë euro, ndërkohë që nga viti 2009 e deri më sot depozitat bankare në Greqi janë reduktuar me 80 miliardë euro.