Bankat greke në Shqipëri, 100 mln euro depozita nga emigrantët
Emigrantët shqiptarë kanë derdhur në formë depozitash 100,000,000 euro në bankat greke në Shqipëri, në verën e vitit 2010. Të hyrat e emigrantëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të depozituara në bankat greke, shënojnë një transferim plot 100 milionë euro. Kështu ka konfirmuar Menaxheri i Emporiki Bank në Shqipëri, George Karakostas, në një prononcim të dhënë për ëebin grek “Greek Reporter”. Sipas tij, shqiptarët i besojnë bankave greke që operojnë në Shqipëri, sidomos në periudhën e krizës financiare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka deklaruar që bankat greke funksionojnë normalisht në Shqipëri dhe që depozitat janë të sigurta. Bankat greke në Shqipëri kanë shumë degë dhe sportele bankare, të cilat mbulojnë një pjesë të madhe të territorit me shërbime. Bankat mëmë të degëve që operojnë në Shqipëri u lejojnë qytetarëve shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi, që të hapin çdo lloj llogarie, me të cilat mund të kryhen veprime edhe në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë në Greqi mund të transferojnë nga bankat në Greqi automatikisht kursimet në llogaritë e degëve të bankave greke në Shqipëri. Shifrat në Greqi tregojnë se, 75 për qind e emigrantëve kanë hapur një numër llogarie në depozitime të parave në bankat mëmë në Greqi. Tashmë, ndërmjet bankave në Greqi dhe atyre në Shqipëri, ka një bashkëpunim institucional. Banka Qendrore e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë, kanë tashmë një marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të së cilës qëndron harmonizimi i mbikëqyrjes dhe kontrollit të bankave greke në Shqipëri. Pak ditë më parë, një grup inspektimi nga Banka Qendrore e Greqisë erdhi në Shqipëri dhe në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë të mbikëqyrjes kryenë një inspektim në bankat greke. Inspektimi mori në konsideratë gjendjen financiare të bankave dhe respektimin e rregullave dypalëshe, në lidhje me shërbimet. Grupi i ekspertëve grekë u takua edhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili kërkoi që bankat greke të vijojnë kreditimin e ekonomisë, pa ulur kujdesin ndaj cilësisë së kredisë, transparencës me klientin në drejtim të kostove, si dhe në drejtim të profesionalizimit të personelit të bankave. Në vendin tonë ushtrojnë aktivitet 4 banka greke, të cilat kanë dhjetëra degë dhe filiale në qytetet kryesore të vendit. Gjithashtu bankat greke janë të parët investitorë të huaj që kanë investuar në industrinë bankare në Shqipëri.