E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e fruta-perimeve, tregjet diferenca të mëdha

SHKRUAN: Sabina Veizaj 24-01-2011 11:16

Çmimet e fruta-perimeve luhaten ndjeshëm, sipas tregjeve të ndryshëm në këtë fundjanari në kryeqytet. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, ditën e djeshme nëpër tregjet e Tiranës, për të njëjtin produkt janë vënë re çmime të ndryshme dhe me diferencë të konsiderueshme. 1 kg trangull, në tregun e ‘Vasil Shantos’, kushtonte 160 lekë, ndërsa fermerët që shesin jashtë tregjeve, e tregtonin këtë produkt me 100 lekë/kg. Ndërsa, lulelakra, brokoli dhe sallata jeshile, sipas vëzhgimit të “MAPO”, ka shënuar 10 lekë zbritje në çmim, në krahasim me ditët e fundit të vitit dhe ditët e para ta janarit të Vitit të Ri. Këto produkte kushtonin dje 150 lekë/kg, nga 160 lekë/ kg, që kanë kushtuar javë më parë. Portokallet varionin, po sipas tregjeve, nga 60 lekë- 85 lekë/kg, në krahasim me 100 lekë/kg, që kushtonin në fundvitin e 2010-ës. Kurse mandarina kushtonte dje 80-100 lekë/kg. Specat kanë shënuar dje çmime të larta. Ky produkt varionte nga 160 lekë – 220 lekë/ kg. Sipas tregtarëve, çmimet e fundjanarit janë gati të njëjta, me ato të festave të Vitit të Ri, dhe nuk parashikojnë ulje çmimesh për fruta-perimet edhe për pak kohë, pasi sipas tyre janë furnizuesit që abuzojnë me çmimet dhe ata ndjehen të detyruar t’i rrisin, ato për të pasur fitimin e tyre. Përsa i përket fermerëve që shesin jashtë tregjeve, me çmim shumë më të lirë, tregtarët shprehen se “ata nuk paguajnë taksë vendi, prandaj na konkurrojnë padrejtësisht”. Ndërsa fermerët shprehen se çmimet e tyre janë reale dhe do të vazhdojnë të funksionojnë po me këto çmime dhe se kanë fitime të konsiderueshme. “Nuk është faji jonë se tregtarët rrisin çmimet në mënyrë abuzive. Ne kemi çmime reale dhe do vazhdojmë me këto çmime. Ne fitojmë dhe kënaqemi me pak” – u shpreh një fermer për “MAPO”. Edhe pse, çmimet e fruta-perimeve variojnë në tregje dhe pika të ndryshme shitjeje, ato janë ende të larta krahasuar me fillimdhjetorin e vitit që shkoi, por edhe në këndvështrimin e inflacionit, niveli i përgjithshëm i çmimeve në vend është i lartë.

Sipas ekspertëve, është zhvlerësimi i monedhës kombëtare arsyeja që çmimet e mallrave të konsumit pësojnë rritje të ndjeshme. Sipas tyre, liberalizimi i vizave, kërkesa për mallra të importit, ardhja e emigrantëve për festat e fundvitit, çuan në forcimin e mëtejshëm të monedhës së eurozonës, duke zhvlerësuar edhe më shumë monedhën tonë kombëtare lekë, e për pasojë duke rritur në masë të madhe çmimet e produkteve të shportës. Sipas ekspertëve në fjalë, stina e dimrit ka zhvendosur strukturën e konsumit dhe të mallrave që kanë në origjinë importet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›