E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat humbin përfundimisht 220 mln euro kredi

SHKRUAN: Blerina Hoxha 28-10-2011 11:34

Kredia e humbur përfundimisht nga bankat ka arritur në 220 milionë euro ose rreth 27 miliardë lekë. Të dhënat i referohen Shoqatës së Bankave për deri në fund të gushtit, ku vërehet se kufiri i kredive me probleme është ngjitur në nivelin e 18 përqindëshit, ose rreth 400 milionë eurove. Sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, te kreditë me probleme klasifikohen ato kredi që nuk paguhen për të paktën 3 muaj radhazi. Më tej, sipas vonesës në shlyerje, kreditë me probleme ndahen në kredi nën standarde, kredi të dyshimta dhe kredi të humbura. Pjesa më e madhe në portofolin e kredive me probleme përbëhet nga kreditë nën standarde, që janë ato me vonesë në shlyerje prej të paktën 3 muajsh. Kreditë e dyshimta, që janë me vonesë mbi 6 muaj kishin vlerën e 20 miliardë lekëve, ose 4.9% e totalit. Gjithnjë sipas metodologjisë mbikëqyrëse, një kredi vlerësohet si e humbur nëse nuk paguhet për një vit kalendarik rresht. Sipas këtij rregulli, sasia e kredive që klasifikohen si të humbura në fund të muajit gusht ishte rreth 27 miliardë lekë, ose rreth 5.2% e portofolit të kredisë së sistemit bankar. Kreditë e dhëna nga bankat janë të mbuluara me kolateral në një masë që zakonisht është sa 140% e vlerës së kredisë. Vlera neto e kredive të humbura nga muaji në muaj po rritet, për shkak se huamarrësit nuk po kthejnë rregullisht kreditë e marrë para tre katër vitesh. Në vitet 2005, 2006 dhe 2007 kredia për ekonominë nga bankat e nivelit të dytë kulmoi. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe në këto humbje i takon moskthimit të kredisë nga bizneset, për shkak se ata zotërojnë edhe pjesën më të madhe të kredisë së dhënë nga bankat. Në përqindje, kredia e keqe në fund të vitit që shkoi ishte rreth 14.5 për qind, ndërsa për tetëmujorin e këtij viti ka arritur në 18%, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Cilësia e kredisë vijon të jetë rreziku kryesor i cili u kanoset bankave në vendin tonë. Banka e Shqipërisë, në një analizë për rreziqet që i kanosen sistemit bankar, vlerëson se kreditë e këqija janë e keqja më e madhe e bankave në vendin tonë. Kreditë me probleme arrijnë mbi 14 për qind të totalit të kredisë. Si rezultat i perceptimit më të lartë të rrezikut të kreditit, sektori bankar ka ulur ritmin vjetor të rritjes së kredisë, ka shkurtuar afatin mesatar të maturimit të saj dhe ka ulur më tej kredinë për konsum”, sqaron Banka e Shqipërisë. Fondet rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kreditit janë rritur. Banka e Shqipërisë thekson se bankat duhet të vazhdojnë monitorimin e kujdesshëm të ecurisë së cilësisë së kredive dhe të krijojnë në kohën e duhur fondet përkatëse rezervë. Por duke qenë se dy vitet e fundit kredia për ekonominë ka ardhur në rënie, po ngushtohet raporti i kredive të reja me kreditë që po shlyhen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›