E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A3, fituesit shpallen në fund të javës

Specialistët e arsimit janë në fazat e fundit të përllogaritjes së pikëve. Regjistrimi i fituesve do të bëhet në datat 1 deri 4 nëntor 2011

Fituesit e fundit të universiteteve për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë do të shpallen në fund të kësaj jave. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se rezultatet do të shpallen në datën 30 tetor, që përkon me ditën e diel, ndërkohë që specialistët e arsimit janë në fazat e fundit të përllogaritjes së pikëve. Në këtë fazë të të fundit të pranimeve pritet të shpallen mbi 3000 fitues, në degë të cilat sipas kuotave të mbetura bosh nuk kanë qenë shumë të preferuara nga maturantët. Për sa i përket kuotave të mbetura bosh rreth 59 të tilla, në 7 fakultete të Universitetit të Tiranës, ato nuk do të plotësohen. Tashmë këto vende konsiderohen të “djegura”, kjo për arsye të tejzgjatjes së kohës së regjistrimit në raport me fillimin e vitit të ri akademik. Ndërkaq, pas publikimit të fituesve të Formularit A3, auditorët e universiteteve në Tiranë dhe rrethe nuk do të presin më studentë të rinj, me përjashtim të atyre të sistemit part-time, të cilët pritet të frekuentojnë orët e leksioneve në ditë të veçanta, si dhe studentët e masterave profesionalë dhe shkencorë, të cilët kanë filluar të dorëzojnë dokumentet e tyre pranë sekretarive të fakulteteve. Regjistrimi i fituesve do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1 deri 4 nëntor 2011, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrim, kandidati fitues duhet të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme: Diploma e Maturës Shtetërore, Dëftesë pjekurie (në mungesë, listë notash me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë Arsimore Rajonale/ drejtori i zyrës Arsimore, ose listë notash të lëshuar nga Arkivi i Shtetit); Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë), origjinalin dhe fotokopjen e tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre dorëzohet certifikatë personale me fotografi; Dy fotografi; Mandat-arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.550 lekësh të lëshuar nga zyrat e Postës Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›