Berisha kërkon votën e opozitës për heqjen e imunitetit dhe ligjin e Prokurorisë
Eljona Ballhysa
Në ditën e parë të sesionit të ri parlamentar, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar votën e opozitës për miratimin e katër ligjeve më të rëndësishme të kësaj periudhe. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha kërkoi konsensus për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor për heqjen e imunitetit të deputetëve, për ligjin e Prokurorisë, si dhe për hapjen e dosjeve. Duke iu referuar debatit të fundit për ligjin për Prokurorinë, që është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë, Berisha u shpreh se “pavarësisht komenteve që vijnë nga PS-ja apo nga mediat pranë PS-së, ligji është shumë i mirë”. Ai theksoi se maxhoranca nuk do të lejojë që të miratohet një ligj jashtë standardeve të kërkuara. Berisha theksoi se miratimi i ligjit për Prokurorinë është shumë i rëndësishëm, pasi është një kusht që rrjedh nga zbatimi i MSA-së. “Ju siguroj ju se pavarësisht nga komentet, ligji për Prokurorinë do të jetë i standardeve më të mira, sepse kjo maxhorancë është thellësisht e përcaktuar për standarde demokratike”, - është shprehur kryeministri Berisha.
Imuniteti
Ndër të tjera kryeministri evidentoi si një ligj shumë të rëndësishëm ligjin për heqjen e imunitetit, i cili, sipas tij, barazon politikanët dhe zyrtarët shqiptarë me qytetarët e thjeshtë në raport me krimin e zakonshëm dhe korrupsionin. Duke theksuar se do të ishte në dinjitetin dhe detyrimin e parlamentit, votimi i këtij ligji me konsensus nga të gjitha palët, kryeministri e quajti të pavend shqetësimin e opozitës se lufta kundër korrupsionit mund të përdoret për qëllime politike. “Hezitimin e mëparshëm të opozitës e kam interpretuar si një ndrojtje të tyre se lufta kundër korrupsionit mund të përdorej për qëllime politike, por ne u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se nuk e kemi përdorur dhe nuk e përdorim këtë luftë për qëllime politike. Shqipëria e ka të domosdoshme heqjen e mburojës së imunitetit për cilindo zyrtar dhe qytetar të këtij vendi”,- u shpreh Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. Ai nënvizoi se vetëm një vend që nuk pranon të ketë barriera të tilla dëshmon totalisht vullnetin e hekurt për të luftuar me eficencë korrupsionin. “Është hipokrizi të flasësh çdo ditë për korrupsionin dhe të mbash imunitetin tënd. Dhe imuniteti ka rregulla se si hiqet, nuk mbrohet as me deklarata të njëanshme, nuk është i asnjë personi, por është i një institucioni dhe ai hiqet me ligje”, - theksoi kreu i Ekzekutivit.
Spiunët
Berisha gjithashtu në fjalën e tij veçoi si të një rëndësie të veçantë ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve publik, duke e cilësuar miratimin e tij si një hap me të cilin Shqipëria do të ndahet nga e shkuara e diktaturës. “Shqipëria ka patur diktaturën më të egër të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Europës ish-komuniste. Ka patur ekzekutimet pa gjyq më të mëdha se çdo vend tjetër, ka patur sistemin më të organizuar të torturave, si dhe të ndjekjes dhe persekutimeve. Megjithatë, modeli që ne kemi përzgjedhur për këtë ligj nuk është as modeli gjerman, i cili përjashton nga detyra një numër të gjerë profesionesh, nuk është as modeli polak, i cili hap procese gjyqësore për të gjithë ata të cilët kanë dënuar. Ndaj dhe u zgjodh modeli çek me disa modifikime të diktuara nga koha dhe që janë normale”, - sqaroi Berisha ndërsa kërkoi bashkëpunimin e opozitës, duke e ftuar atë të mos bëhej padashur mbrojtëse e një të kaluare të hidhur për vendin. “Do të ishte një gabim historik për opozitën po të mos bashkohej dhe të ndahej, duke bërë gardianin e asaj trashëgimie tmerrësisht të hidhur. Në këtë mënyrë ajo do të dëshmonte se vetëm emrin ka ndryshuar dhe të tjerat kanë mbetur, çka unë nuk besoj se do të ishte në interesin e saj dhe të shoqërisë shqiptare”, - është shprehur Berisha.
Reforma zgjedhore
Po kështu, një vend të veçantë në fjalën e tij drejtuar deputetëve demokratë, ka zënë dhe reforma zgjedhore. Berisha ka informuar ligjvënësit se komisioni zgjedhor ka vazhduar punën në nivel ekspertësh edhe gjatë periudhës së pushimeve. Sipas tij, komunikimi ka qenë i pandërprerë midis palëve. “Është shumë e rëndësishme ta konkretizojmë këtë ligj bazë të vendit dhe të shoqërisë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që t’u jepet kohë institucioneve përgjegjëse për përvetësimin dhe zbatimin e tij sa më të sigurt dhe të paanshëm”, - është shprehur Berisha. Ai tha se është bërë një punë e konsiderueshme në kompletimit e infrastrukturës së domosdoshme për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. “Gjatë gjithë kësaj periudhe është punuar pandërprerë në sistemin e adresave, në sistemin e kartave të identitetit, në regjistrin e gjendjes civile, pra në të gjithë infrastrukturën e domosdoshme për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe ne mbetemi totalisht të përkushtuar në këtë aspekt”, - ka premtuar kreu i qeverisë.
2 Shtator 2008