Bankat mbyllin dyert, Konfindusitria: Biznesi ka mbetur pa para
Tiranë- Bankat në Shqipëri zotërojnë para më shumë se kurrë, edhe si pasojë e transferimit të llogarive të emigrantëve në Greqi, por gjithnjë e më shumë kanë shtrënguar kreditimin, duke lënë biznesin pa likuiditete. Konfindustria, përmes një deklarate, i këkron qëverisë dhe Bankës së Shqipërisë të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë problem, i cili po e vë binznesin në vështirësi shumë të mëdha për pagesat.
Konfindustria, mbështetur në të dhënat e ardhura në mënyrë të vazhdueshme pranë saj nga industritë kryesore të vendit, shpreh shqetësimin për mungesën e ndjeshme të likuiditetit në treg në periudhën e 3 mujorit të parë të vitit 2012 me të cilën ndeshen bizneset dhe sidomos industritë, me pasoja të rënda në afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptare.
Konfindustria vlerëson, se është krejtësisht e papranueshme dukuria e mësipërme, që sistemi bankar shqiptar zotëron sasitë më të mëdha likuiditetit në krahësim relativ me të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor.
Konfindustria kërkon nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërise, që në një kohë sa më të shpejtë të ndërmarrin masat e duhura për të shmangur kontradiktën e mësipërme ndërmjet një sistemi bankar në zotërim të sasive të mëdha likuiditeti dhe një ekonomi reale me mungesa të skajshme të likuiditetit.
Për sa më sipër flet qarte fakti, se ndërkohë kur vetem në 5 mujorin e parë të vitit 2012 në sistemin bankar shqiptar kanë hyrë mbi 700 milion euro kryesisht nga Greqia, masa e kreditimit të ekonomisë shqiptare për të njëjten periudhe paraqitet në rënie.
Pasoja të drejtpërdrejta të mungesës së likuiditetit për biznesin në treg, mbështetur në analizën e të dhënave operative të ardhura pranë Konfindustrisë nga grupi i industrive, që prodhojnë për tregun e brendshëm për 3 mujorin e parë të vitit 2012, janë :
* Rënia e treguesit të shitjeve për grupet kryesore të industrive që prodhojnë për tregun e brendshëm për 3 mujorin e parë të vitit 2012.
* Rënia e treguesit operativ të fitimit për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtin grup industrish, duke arritur në shifër absolute në kufijte afër zeros për një pjesë të madhe të industrive vendore.
Konfindustria vlereson, se niveli relativisht i ulet i jetës së qytetareve shqiptare përcakton nivelin e konsumit të mallrave dhe shërbimeve bazike me të domosdoshme të jetesës dhe cdo rënie e mëtejshme e treguesit të shitjeve dhe treguesit te fitimit do te prekte ndjeshëm deri në falimentim para se gjithash industritë prodhuese vendore, duke rrezikuar hyrjen e ekonomise në një cikël të mbyllur negativ me pasoja të rënda në qëndrueshmërinë makroekonomike te vendit në afatgjatë përfundon deklarata e Konfindustrisë.