E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita Muslim Mulliqi, fituesi akuzohet për plagjiaturë

—Dr. Ilir Muharremi—

Fjala plagjiaturë është mjaft e vjetër, rrëqethëse, e pa mëshirshme që në gjuhën latine: plagium do të thotë kusari. Format më të shpeshta të plagjiaturës janë: Kur dikush e paraqet si të veten një vepër, të cilën e ka punuar tjetërkush, ose kur dikush huazon një tekst dhe nuk e publikon burimin quhet plagjiaturë e pjesshme. Në çfarëdo forme të paraqitet ajo, në esencë shkel drejtat e autorësisë. Në gjitha vendet e botës, plagjiatura ndiqet me ligj. Nuk është i panjohur rasti i ish ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, Karl Theodor zu Guttenberg, ku u vërtetua se në temën e disertacionit kishte pasur tekste të shumta, të cilave nuk i është përmendur burimi, andaj iu anulua grada shkencore Doktor nga Universiteti i Bayreuth. Ishte i detyruar të japë dorëheqje nga çdo post politik, gjë që u vërtetua në media. Mirëpo, çfarë ndodh me artistët kosovarë, apo me vlerësimin, dhe përzgjedhjen e Galerisë se Arteve të Kosovës, në ekspozitën çmimi Muslim Mulliqi që organizohet çdo vit. Kanë konkurruar mjaftë artistë, me tema origjinale, që arti i tyre gjithnjë ka ngritur përpara shoqërisë problemet e mëdha të kohës, arti i tyre i skajuar, i refuzuar që i bëri jehonë drejtpërdrejt problemeve bashkëkohore dhe që kontribuojë për ndriçimin e perspektivës. Gjithnjë duke vënë në qendër të krijimtarisë temën aktuale, detyrat e shoqërisë Demokratike, u anulua si në heshtje, dhe u ofrua hapësira kontradiktore, për Kusarët e artit, të cilët falë internetit, pikasin ndjenjat, ose janë të prirur për Copy paste pa u lodhur fare, nga rraskapitja e artit, apo qetësia absolute, duke e larguar vëmendjen nga sprova e artit, e realitetit të jashtëm dhe të brendshëm. Faji bie mbi kuratorët e ekspozitës Galit Eilat dhe Charles Esche, po ashtu edhe mbi  pjesën e jurisë profesionale:  drejtoreshën e Muzeut të Artit Modern në Lubjanë, Zdenka Badovinac, artistin kosovar, Sokol Beqiri, dhe drejtorin e Programit Hulumtues në Galerinë me famë botërore SALT, në Stamboll, Vasif Kortun. Pasi, që arti është shndërruar në industri tregtare, ose në ndonjë treg i cili arrin që sa më shpejt ta shet mallin, aspak nuk e fajësoj fituesin e edicionit të sivjetëm Fatos Kabashin me veprën Lapsat i cili në media akuzohet për plagjiaturë. Madje, në gazetën e përditshme Zëri, anëtarja e jurisë Zdenka Badovinac ishte prononcuar: Lapsat (Pencils) është një shkathtësi e shkëlqyer dhe padyshim meriton trofeun.  Meriton trofeun, dhe kjo është një shkathtësi e krijuesit ndaj mosinformacionit artistik global të kuratorëve dhe jurisë Profesionale, e cila gjithnjë e më shumë e shpie në humnerë artin konceptual në Kosovë. Lapsat si vepër nuk më kanë rënë në sy, dhe nuk ka arritur të më zhyt në një botë iluzore, fantastike, ose të më bëjë pjesë e plagëve të saja. Përdorimi i teknikës së lapsave është tejet interesant, dhe këtë e përdor artisti brazilian Dalton M.Ghetti, dhe me një të klikuar në google, mund të gjejmë në pakufijë punën reale, qetësuese, mistifikuese të këtij artisti. Si teknikë që përdor Kabashi është në rregull, sepse në botë shumë artistë gjejnë truall të përshtatshëm për tu shpërndarë me këtë lloj arti. Mirëpo, renditja e lapsave në një kompozicion horizontal, të gdhendur në maje, ngjan me punën e M.Ghettit. Ndoshta, për shkak reflektimit të pavetëdijshëm të konsumimit të tepërt të artit në internet, ose edhe nga përdorja e qëllimshme. Vepra, e heshtur në mes kritikës dhe arsyes, flet më qartë dhe reflekton me atë të krijuar nga Ghetti. Dallimin e bënë artisti kosovar vetëm me krijimin e distancës së lapsave duke mos i vendosur në një diagolane të drejtë sikurse braziliani. Kjo nuk mjafton shkëputjen nga kopjimi i mjeshtrit Ghetti. Sidoqoftë i dëshiroj sukses edhe në punën e mëtutjeshme. Në esencë, krijimtaria artistike është rezultat i shumë faktorëve: talentit, përvojës, arsyes, vullnetit,  biografisë së artistit, edukatës, botëkuptimit, idealit estetik, metodës krijuese, jetës sociale etj. Lidhja e artistit me jetën shoqërore është me mijëra fije dhe nyje dhe komunikon me mjedisin social, reagon pëson nga ndryshimet, frymëzimin e gjen në qëllime, pasione të caktuara, në rrugën e shpirtit etj. Ajo që u pa në ekspozitë ishte si një makinë kibernetike, me pak ngjyrë, anemike, e kufizuar në kornizën e shabllonit të pakuptuar mirë, se ku është qëllimi dhe esenca estetike, globale e një mesazhi të fuqishëm, i cili duhet të provokojë dhe jetoj në kokë dhe shpirt. Zëri i ri i jetës nuk dëgjohet vetëm nëpërmjet përdorimit të teknikave, të cilat janë mësuar ti shohin në internet artistët, natyrisht nuk duhet menduar se çdo luhatje e rastit sjell rritjen e vlerave estetike të veprës, se çdo origjinaliteti e pajis veprën artistike me vlera estetike. Në librin Estetika të autorit Alfred Uci përmendet se majmuni, duke goditur tastet e pianos ose të makinës së shkrimit, krijon tekste shumë më origjinale sesa ato që krijohen duke iu përmbajtur rigorozisht rregullave dhe ligjeve të sintaksës muzikore ose poetike. Meqenëse tekstet superorigjinale të majmunit nuk i nënshtrohen asnjë rregullsie, skanë vlera të mirëfillta artistike. Ma merr mendja se e dini për ku e kam fjalën!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›