Mikrokredia mbeshtetje per emigrantet
Sektori i mikrofinancës i ka rezistuar më së mirë periudhës së vështirë ekonomike. Pas një mbyllje pozitive të vitit të kaluar, edhe gjatë këtij viti, mikrokredia ka ecur me ritme të kënaqshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti kreditë janë rritur me 46.6 milionë lekë, krahasuar me tremujorin e fundit 2011, duke e çuar stokun e huasë në 4.566 miliardë lekë. Institucionet e mikrofinancës duket se kanë dyer që hapen më lehtë për individët apo sipërmarrësit e vegjël, të cilët kanë një projekt jo vetëm në bujqësi apo blegtori, por edhe në hapjen e një punishteje të vogël për përpunimin e frutave, madje edhe për ndërtimin e mobilieve. Ekspertë në fushën e mikrofinancave vërejnë se kjo pjesë e tregut po rezulton tërheqëse për personat apo familjet e kthyera nga emigrimi të cilët kanë gjetur mbështetje në institutet e mikrokredisë sic është edhe Unioni i SHKK. Rreth gjysma e huasë së dhënë nga të gjithë operatorët në mikrofinancë është disbursuar nga Unioni i Shoqërive të Kursim-Kredisë, e cili ka shtrirjen më të madhe gjeografike në vend ku në total numërohen 97 të shoqëri. Sipas të dhënave të kompanisë, në gjysmën e parë të këtij viti portofoli i kredisë së rifinancuar arriti në 2.56 miliardë lekë, duke u rritur me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shumë prej institucioneve të mikrokredisë kanë kapur në kohë periudhën e volitshme të kthimit të emigrantëve, për t’i afruar ata si për depozitat, edhe kreditë. Aktualisht shuma e kredisë për individët arrinë deri në 1.000.000 lekë lekë të reja dhe afati i shlyerjes shkon deri në 5 vjet. Ky shërbim u ofrohet të gjithë personave të interesuar për hapjen e një aktiviteti të vogël në kushte mjaft lehtësuese.