Bankat, më shumë kredi për shtëpi sesa për investime
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e djeshme, mori në shqyrtim raportin "Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008". Sipas BSH-së, aktivet e sistemit bankar u rritën edhe në tremujorin e tretë të vitit 2008 me rreth 50.06 miliardë lekë ose 6.2%. Teprica e kredisë së sistemit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 shënoi rritje me rreth 30.8 miliardë lekë ose me 8.9%, nga rritja me 33.5 miliardë lekë ose me 10.7% tremujorin paraardhës dhe nga 20.6 miliardë ose 8.6%, për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe këtë tremujor, analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive dallon për ritmin më të lartë rritës të kredisë akorduar bizneseve, kundrejt kredisë dhënë individëve. Sipas BSH-së, klasifikimi i kredisë sipas subjektit (biznes dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të saj, dallon në tremujorin e tretë të vitit 2008 me peshën më të madhe të kredisë për "investime në pasuri të paluajtshme" dhënë individëve, me 23.0 për qind të tepricës totale të kredisë, pasuar nga "investimet në blerje pajisjesh" të bizneseve, me 18.6 për qind të totalit.