Komisioni i Ligjeve "injoron" Avokatin e Popullit
Avokati i Popullit, Armir Dobjani, nuk ka mundur të flasë dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve rreth projektbuxhetit 2009, duke krijuar një situatë të rëndë për institucionin që ai drejton. Në çastin kur Komisioni i Ligjeve ishte gati të niste punën për të diskutuar buxhetin e akorduar për Avokatin e Popullit, kreu i këtij institucioni, Dobjani, nuk ishte i pranishëm në sallë, por, pavarësisht kësaj, kryetari Rusmali lejoi që për këtë çështje të fliste sekretari i Përgjithshëm. Ai paraqiti një sërë kërkesash që lidheshin me fonde shtesë për vitin 2009, të cilat nuk ishin parashikuar në projektbuxhet. Njëra nga kërkesat lidhej me ndërtimin e një parkingu për automjetet e institucionit. Në rend të ditës, Komisioni i Ligjeve kishte për shqyrtim edhe buxhetin e institucioneve të tjera të pavarura. Pasi dëgjuan sekretarin dhe mbajtën shënim kërkesat e tij, komisioni vijoi punën normalisht për institucionet e tjera, si gjyqësorin dhe pushtetin lokal. Pas rreth një orë e gjysmë diskutime, në komision mbërrin Dobjani, i cili kërkoi nga deputetët të lexonte kërkesat për fonde shtesë në projektbuxhetin 2009. Por që në fillim, kryetari i komisionit sqaroi se rekomandimet e Avokatit të Popullit ishin lexuar më parë nga sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni dhe se nuk ishte nevoja të përsëriteshin. "Do të ishte humbje kohe që t‘i dëgjonim nga e para. I kemi marrë shënim të gjitha rekomandimet", iu drejtua Rusmali Dobjanit. Edhe pse kreu i Avokatit të Popullit u mundua ta justifikonte vonesën me një takim që kishte pasur me Presidentin Topi, Komisioni i Ligjeve ishte i vendosur për të mos e dëgjuar atë, kjo edhe për çështje kohe. Shkak për këtë situatë u bë sekretari i Përgjithshëm, i cili pranoi të fliste, edhe pse në komision mungonte Avokati i Popullit.
I gjithë buxheti 2009 për Avokatin e Popullit është planifikuar nga Ministria e Financave në masën e 90 milionë lekëve. Nga kjo shumë, rreth 5 milionë lekë janë përcaktuar për kryerjen e investimeve, ku 890 mijë lekë për hidroizolimin e tarracës së godinës dhe 3.1 milionë lekë për pajisje zyre e kompjuterë.
I gjithë buxheti 2009 për Avokatin e Popullit është planifikuar nga Ministria e Financave në masën e 90 milionë lekëve. Nga kjo shumë, rreth 5 milionë lekë janë përcaktuar për kryerjen e investimeve, ku 890 mijë lekë për hidroizolimin e tarracës së godinës dhe 3.1 milionë lekë për pajisje zyre e kompjuterë.