E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi u kërkon doganave të rishikojnë çmimet e referencave



Çmimi i referencave që përdorin në doganë për mallrat e importit, moskthimi i TVSH-së, si dhe rastet e subjekteve që kanë ankimuar në gjykatë për gjobat e vëna, kanë qenë qendra e debatit të zhvilluar dje me përfaqësuesit e biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe administratës doganore. Në këtë takim-debat mori pjesë dhe vetë kreu i Doganave shqiptare, Përparim Dervishi, ku biznesi përfitoi për t’i bërë të ditur atij ankesat që kanë në drejtim të doganave. Kryesisht biznesi ankohet se çmimet e referencave, që përdorin doganat për mallrat e importit, shpeshherë shmangen nga kostoja reale e produkteve, duke i ngarkuar ato me kosto shtesë. Për vitin 2009, Ministria e Financave i ka ngarkuar doganave që të mbledhin edhe 12.5 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar. Por në kushtet e krizës ekonomike dhe rënies së çmimeve, biznesi dhe ekspertët kanë një tjetër shqetësim të madh. Njëri prej përfaqësuesve të biznesit tha se kostoja për të rritur të ardhurat detyrimisht do të bjerë mbi biznesin, duke paguar edhe referenca mbi koston reale të produktit. “Rritja e të ardhurave për 2009 do të vijë më shumë nga transporti, pasi ne paguajmë 1000 dollarë për një kontenier, kurse referenca është 3 mijë dollarë. Kur do të bëhet kthimi i garancisë së referencës?”, - ka deklaruar dje Rakip Suli, përfaqësues i “Aurora Group”. Në këtë rast doganat i kanë dhënë të drejtë shqetësimit të Sulit dhe është premtuar rishikimi i problemit. “Shqetësimi i referencës së transportit është i drejtë. Po i rishikojmë këto probleme. Ndoshta ka lidhje edhe me rënien e çmimeve të karburantit dhe do të rishikojmë nivelin e referencës. Për garancinë bankare është një proces që e bën dega rajonale e doganës dhe kemi ndeshur probleme me kthimin e përgjigjes nga partnerët tanë”, - ka deklaruar përfaqësuesi i doganave. Një përfaqësues tjetër i biznesit ka kërkuar që doganat të bëjnë përditësimin e çmimit të referencave, në mënyrë që t’iu referohen çmimeve të tregut. “Kemi vërejtje për doganat, pasi nuk është e përditësuar me çmimet e referencës. Marrim rastin konkret të kabllit elektrik. Javën e kaluar kemi pasur përsëritje të të njëjtit problem. Referenca e bakrit ndryshon me referencën e kabllit. Nuk marrim asnjëherë përgjigje nga doganierët për investigime që janë kryer me sukses”, - ka deklaruar Eliana Pilika, përfaqësuese e “A Bi Esse”. Më tej, Pilika ka kërkuar që për detaje teknike të organizohet një takim me specialistët, të cilët të japin shpjegimet e tyre lidhur me këto çmime referencash. Përfaqësuesi i doganës shpjegoi se për çmimet e referencës për kabllin dhe për përcjellësit elektrikë, “A Bi Esse” ka pasur probleme ndoshta për shkak të lëvizjes në bursë. Kurse Floreta Luli Faber, Dhoma Amerikane, u shpreh se faturat janë reale, por nuk merren parasysh se dogana thotë që nuk përputhen me çmimin e tregut. “Kemi pasur pesë kompani me probleme për referencën. Këto kompani kanë sjellë produkte promocionale për reklamë me fatura krejt të rregullta, por me çmime ndjeshëm poshtë tregut dhe dogana i ka zhdoganuar me çmime reference”, - tha Faber. Ndërkaq ekspertja e çështjeve ekonomike, Ardian Berberi, tha se dogana nuk duhet të përdorë çmime reference, kur faturat e origjinës vijnë nga partnerë seriozë. “Pse duhet të aplikohet referenca edhe kur verifikohet se ka marrëdhënie me partnerë të huaj seriozë? Përse të mos i referohemi faturës së shoqërisë dhe pastaj ta verifikojmë? Përveçse paraja, aktualisht ka marrë vlerë edhe garancia gjashtëmujore që rëndon financiarisht biznesin”, - tha Berberi. Nga ana e doganave u pranua se duhet bërë një vlerësim i diferencuar i subjekteve që kanë marrëdhënie me partnerë të huaj seriozë. Por shpjeguan se konflikti ndodh me ato institucione që janë mbi doganat dhe na kontrollojnë. Ato thonë pse nuk respektohet referenca në faturë dhe konkludojmë se i kemi bërë dëm shtetit. “Ne po punojmë që të krijojmë statistika për subjektet për sa i përket seriozitetit të tyre dhe do të favorizohen në të ardhmen. Ndoshta nuk mjafton vetëm ardhja e përgjigjes pozitive nga verifikimi i kryer, por duhet të njoftohet subjekti. Por kjo përgjigje pozitive ka vlerë vetëm për atë rast, nuk është përgjithësuese”, - tha Çeli. Nga ana tjetër, biznesi shprehu shqetësimin lidhur me të ardhurat doganore, të cilat do të jenë më të larta për vitin 2009, por komiteti i biznesit ka kërkuar të dijë nga drejtori i Doganave si do të mbrohet, që të mos mbajë gjithë barrën e rritjes së të ardhurave të doganës. Drejtori i Doganave në këtë pikë ka garantuat se nuk do të bëhet presion mbi biznesin e rregullt. “Ne do të bëjmë presion mbi ato biznese që nuk i kanë dokumentet e rregullta, megjithatë nuk kemi kapacitetin e duhur për të kontrolluar gjithçka. Mendojmë se ka akoma vende ku abuzohet dhe nuk ka dokumentacion të rregullt. Nuk do të shtojmë presion mbi ata që bëjnë biznes të rregullt”, - ka thënë Dervishi. Genc Boga ka kërkuar të dijë si e zgjidh dogana rastin kur biznesi kërkon amnisti fiskale dhe ka ankimuar në gjykatë? A e përfitojnë amnistinë, edhe pse janë në proces gjyqësor? Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i DPD-së tha se dogana ka nxjerrë udhëzimin e saj për këtë situatë. Nuk përfitojnë subjektet që janë në proces gjyqësor civil dhe penal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›