E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, dëshmojnë 7 ushtarakë të tjerë

13/02/2009  Në pyetje ish-komandanti i forcave të Logjistikës Dashnor Çaushi dhe avokati

Për 20 të pandehurit e çështjes rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”

TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar edhe dje t’u komunikojë akuzën e shpërdorimit të detyrës personave që dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, janë bërë fajtorë të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën. Lidhur me këto veprime hetimore, në organin e akuzës qendrore është paraqitur ish-komandanti i forcave të Logjistikës, Dashnor Çaushi, i cili ishte i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Burimet thanë se Çaushit i është komunikuar zyrtarisht akuza e “Shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal Ushtarak. Mësohet se ish-ushtaraku Çaushi nuk ka kryer asnjë debat me prokurorët e çështjes Gërdeci, por sapo është njohur me akuzën ai është larguar përsëri. Avokati i tij mbrojtës tha se në ditët në vazhdim do i kërkojnë Prokurorisë së Përgjithshme të gjitha pretendimet e saj, lidhur me akuzën e ngritur si dhe në të njëjtën kohë provat që faktojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë që po ditën e djeshme në Prokurori është paraqitur për t’u njohur me akuzën edhe drejtori i Drejtorisë Juridike Ndue Marku. Si të gjithë “shokët”, edhe Marku është akuzuar për shpërdorim detyre. Pas daljes së tij, në Prokurorinë e Përgjithshme janë paraqitur 5 persona, që nga burimet thuhet se ishin ish-punonjës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Këta punonjës mësohet se kanë shërbyer në nivelet e mesme dhe të ulëta në dy institucionet e mësipërme.

Procesi i dëshmive

Gjithashtu burimet thanë se në ditët në vazhdim në prokurori do të vazhdojnë të thirren edhe të pandehur të tjerë, ku një pjesë e të cilëve janë komisionerët e ndërmarrjes shtetërore MEICO, si dhe oficerë të tre komandave ushtarake. Mësohet se menjëherë pas komunikimit të të gjitha akuzave, Prokuroria e Përgjithshme do fillojë të përpilojë kërkesën për gjykim për 20 të pandehurit e çështjes “Gërdeci”. Ndërkohë që pas kopsitjes të dosjes si dhe njohjes së palës mbrojtëse me provat e Prokurorisë, kërkesa e gjykimit do t’i kalojë Gjykatës së Lartë, ku dhe do të zhvillohet procesi gjyqësor ndaj 20 të pandehurve. Pritet që në fund të muajit shkurt apo në fillim të muajit mars, Prokuroria të dërgojë në gjykatë dosjen e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Shkeljet

TIRANE- Procedimi penal i tragjedisë së Gërdecit është regjistruar në datë 15. 03. 2008 fillimisht në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, e cila pasi ka kryer një sërë veprimesh hetimore, ka konstatuar se kishte të dhëna e prova se, në tërësinë e proceduarave të urdhëruara dhe të zbatuara për realizimin e procesit të çmontimit në rajonin e Gërdecit, evidentohej se ishin kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Hetimet e kryera deri në këtë fazë, evidentojnë të dhëna të mbështetur në prova se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime e mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, si dhe duke favorizuar firmën “Alba-Demil” të Mihal Delijorgjit.

Dashnor Çaushi

Ish-komandanti i repartit Logjistik është marrë ditën e djeshme zyrtarisht i pandehur, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga Kodi Penal Ushtarak. Çaushi si dhe avokati i tij mbrojtës nuk kanë debatuar me prokurorët e çështjes për akuzën e ngritur, por pritet që në ditët në vazhdim ai të njihet me provat e Prokurorisë së Përgjithshme.

Pesë punonjës

Maratonën e personave që janë marrë të pandehur për tragjedinë e Gërdecit, e kanë vazhduar ditën e djeshme 5 ish-punonjës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Burimet nuk pranuan të jepnin emra konkretë, por thanë se ata i përkisnin nivelit të mesëm dhe të ulët në këto institucione. Persona të tjerë pritet të paraqiten.

Dosja Gërdeci

Menjëherë pasi t’i ketë komunikuar akuzën të gjithë personave të pandehur, prokurorët e dosjes voluminoze Gërdeci, do fillojnë punën për përpilimin e kërkesës për gjykim. Mësohet se në fund të muajit shkurt apo në fillim të muajit mars, dosja me 20 të pandehur do të shkojë në Gjykatën e Lartë, ku dhe do zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›