Bankat në Evropë të vijojnë me paketat stimuluese - tërheqja mund të shkaktojë tronditje në tregje
Deklaratë e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard, mendon se tërheqja e parakohshme e paketave stimuluese të Bankave Qendrore, mund të shkaktojë tronditje të re në tregje. Specifikisht, ish-ministrja e Financave të Francës, paralajmëron për një situatë ende të brishtë në Europë dhe Japoni, pavarësisht shenjave të dukshme të përmirësimit të ekonomisë në këto zona. Komentet e saj shefja e FMN i bëri në një konferencë në Uajoming të Shteteve të Bashkuara. Gjatë muajve të fundit është shtuar debati mes financierëve nëse janë më, ose jo të nevojshme blerjet gjigante të borxhit si në rastin e Rezervës Federale amerikane, apo në pompimin e fondeve në tregje në Eurozonë e gjetkë. Lagard është e mendimit se tërheqja nga këto forma stimuluese duhet bërë mbi baza individuale, duke studiuar në thellësi të dhënat statistikore. Në rast të kundërt, shefja e FMN sugjeron financierët që të përgatisin plane rezervë për përkeqësimin e situatës. Ditët e fundit, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara deklaroi se do të ketë një ngadalësim të programit të saj të blerjes së bonove, një sinjal ky aspak i mirë për tregjet botërore dhe për tregun e shkëmbimit të valutave. Ndaj Lagard nxit angazhimin më të qëndrueshëm për vijimin e reformave strukturore si në Europë ashtu dhe kudo tjetër në botë, për shmangien e të papriturave.