Bankat në Kosovë janë të sigurta
Tri bankat më të mëdha në Kosovë nuk kanë frikë se debitorët e tyre mund të shpresojnë në kriza financiare dhe të mos i kthejnë kreditë. Ato deklarojnë se, përkundrazi, nuk ka tendenca të moskthimit të kredive, edhe pse kriza financiare është duke përfshirë me të madhe tregun bankar nëpër botë. Vlerësime jepen në kohën kur vetëm këtyre tri bankave kosovarët u kanë borxh mbi 800 milionë euro. Zyrtarët e këtyre bankave thonë se trendi i kthimit të kredive nuk është zvogëluar. Para pak ditësh, ekonomistët kosovarë patën vlerësuar se Banka Qendrore e Kosovës dhe institucionet financiare të Kosovës duhet të diskutojnë efektet e krizës financiare në bankat komerciale.