E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers: Zgjedhjet e 2009, jetike per Shqiperine

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, ka bërë thirrje që zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 të zhvillohen krejtësisht të lira, krejtësisht të ndershme dhe në përputhje të plotë me standardet demokratike të vendeve perëndimore. Duke folur për emisionin "Shqip", në "Top Channel", për zgjedhjet në SHBA, kryediplomati i Uashingtonit në Shqipëri, është shprehur edhe për përvojën elektorale që vendi ynë do të ketë pas një viti. Ambasadori Uithers deklaroi për emisionin "Shqip", që drejtohet nga gazetarja Rudina Xhunga, se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë jetike për Shqipërinë. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, duke e lidhur këtë fakt me anëtarësimin e mundshëm në NATO, vitin e ardhshëm, tha se Shqipëria do të votojë si pjesë e një komuniteti të madh demokratik, ndaj dhe politika duhet të demonstrojë pjekuri. "Këto zgjedhje do të jenë me rëndësi jetike për Shqipërinë, do të jetë momenti kur Shqipëria do të votojë si pjesë e një Aleance të re, duke rrëzuar ato pengesa të izolimit që kanë penguar vendin në të shkuarën. Prandaj është jetësore që këto zgjedhje të shkojnë si duhet", deklaroi Uithers.

Organizimi

Në mënyrë tejet të qartë, kryediplomati i Uashingtonit në Tiranë, u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve që merren me organizimin e zgjedhjeve, që të krijojnë një sistem efikas organizativ, pa "hile shqiptare", por që të ndihmojë sa më shumë qytetarët që të hedhin votën, të drejtën e tyre, aty ku ata e mendojnë. Në deklaratën për emisionin "Shqip", ambasadori Uithers theksoi

se organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat priten të zhvillohen në verën e vitit 2009, duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, që thjeshton mënyrën dhe i bën qytetarët më të qartë për të ushtruar të drejtën e tyre.

Listat

Një tjetër thirrje e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, ishte ajo që të hartohen listat e zgjedhësve dhe kartat e identitetit. Ambasadori Uithers e ka cilësuar fenomenin që ka ndjekur zgjedhjet shqiptare në vite, si një "informalitet" elektoral.

Diplomati amerikan, duke folur në emisionin "Shqip" në "Top Channel", vërejti se duhet punuar për të siguruar sa më parë një regjistrim rigoroz të votuesve dhe garantimin e votës së lirë.

"Duhet që informaliteti që ka prekur zgjedhjet në të shkuarën, të eliminohet. Unë i kam bërë dhe vazhdoj t‘i bëj thirrje të gjitha forcave që të punojnë shumë, në mënyrë që këto të jenë zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka mbajtur ndonjëherë", theksoi Uithers.

Koha

Ambasadori amerikan Uithers, gjatë apelit të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme, u shpreh se koha deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk është shumë e gjatë, ndaj duhet nxituar që të nisin sa më parë përgatitjet për hartimin dhe miratimin e infrastrukturës zgjedhore, si dhe instalimin dhe krijimin e administratës që do të përgatisë përballjen elektorale për Kuvendin e ardhshëm të Republikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›