E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat ngrijnë Delijorgjin

TIRANË - Paralelisht me hetimin për nxjerrjen e përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit, grupi hetimor i çështjes i kushtoi një vëmendje të veçantë identifikimit dhe bllokimit të pronave, apo llogarive bankare që rezultojnë në emër të Mihal Delijorgjit, administrator i firmës “Albademil”. Pas vendimit të gjykatës që sekuestroi paraprakisht pronat e Delijorgjit, tashmë çështja i ka kaluar Zyrës së Përmbarimit, e cila ka nisur menjëherë nga puna për zbatimin e vendimit të gjykatës. Menjëherë pas marrjes së vendimit të gjykatës, Zyra e Përmbarimit Gjyqësor Tiranë ka ngritur një grup të veçantë pune, i cili po verifikon një për një të gjitha pasuritë e sekuestruara. Burime nga ky institucion thanë dje, se është shpërndarë vendimi i gjykatës për bllokimin e llogarive bankare të Delijorgjit në 16 banka në Tiranë, si dhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas vendimit të gjykatës, bëhet fjalë për sekuestrimin e 29 pronave që ndodhen kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe 33 llogarive bankare, vlera e së cilave arrin në 1 milion euro. Mihal Delijorgji, një nga biznesmenët më të fuqishëm të skrapit, u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës më 17 mars, pasi dyshohet të ketë konsumuar elemente të veprës penale “shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›