E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji: Henri gënjen

TIRANË - Një ditë pas deklaratave të administratorit të shoqërisë “Southern Ammunition Company inc”, Patrik C. Henry III, se ditën e ngjarjes nuk ka qenë në Shqipëri, reagon dhe ortaku i tij në firmën “Albademil”. Nga qelia e burgut 313, Mihal Delijorgji, bashkëaksioner i firmës së demontimit të predhave thotë se, ato që thotë Patrik C. Henry III, nuk janë të vërteta.

Reagimi i Delijorgjit

Burime të sigurta të gazetës thanë se Delijorgji gjatë një takimi me avokatin e tij mbrojtës i ka deklaruar këtij të fundit se ortaku i tij, Patrik C. Henry III, ditën e ngjarjes ka qenë në Shqipëri. “Është nisur rreth mesditës së 16 marsit”, - mësohet të ketë thënë Delijorgji për kontraktuesin dhe bashkëaksionerin e “Albademil”, i cili gjatë vitit 2007 arriti të fitojë dy kontrata të majme me ndërmarrjen shtetërore “Meico”, me objekt demontimin e predhave. Në fakt, dy ditë më parë, Patrik C. Henry III deklaroi para agjentëve të FBI-së që po hetojnë veprimtarinë e firmës amerikane “Southern Ammunition Company inc”, se ditën e ngjarjes së Gërdecit nuk ka qenë në Shqipëri, por në Gjermani. Hetimi për tragjedinë e 15 marsit paralelisht me Prokurorinë Shqiptare po hetohet dhe nga strukturat amerikane të hetimit. Veprimtaria e kompanisë amerikane që kryente demontimin e predhave në Gërdec dhe mashtrimi i dyshuar se është kryer prej kompanisë së Diverolit, “AEY”, prej disa ditësh janë nën hetim jo vetëm nga FBI-ja. Ndërsa “SAC” duket se për momentin është në pozita më të favorizuara, “AEY”-ja po hetohet dhe nga Departamenti i Mbrojtjes dhe Kongresi Amerikan, i cili ka ngritur një grup të veçantë ekspertësh.

“Mjegull” në prokurori

E ndërsa në SHBA po punohet dhe hetohet për dy firma, veprimtaria e së cilave lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë, organet hetimore shqiptare ende nuk kanë arritur në një përfundim të saktë për ngjarjen. Deri në orët e vona të pasdites së djeshme, burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se ende nuk ka përfunduar procesi i verifikimit të dosjes hetimore të dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Tiranës. Zyrtarisht, thuhet se prokuroria nuk ka përjashtuar asnjë nga pistat hetimore të bëra publike një ditë pas ngjarjes nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të cilat nisin nga një atentat i qëllimshëm e deri tek një gabim njerëzor brenda fabrikës. Ngelet ende i paqartë fakti nëse do të kërkohet heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin grupi hetimor që hetoi për afro 15 ditë çështjen, ngriti dyshimin se mund të ketë konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre”. Ende ngelet për t’u sqaruar pikëpyetja nëse do të ndahet veç çështja e trafikut të municioneve, si dhe cilët nga prokurorët e organit më të lartë hetimor do të ndjekin vijimësinë e çështjes. Të gjitha këto pikëpyetje sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, pritet të zbardhen ditën e sotme, pasi presupozohet që sot të përfundojë dhe procesi i verifikimit së të gjithë dosjes hetimore të tragjedisë së Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›