Bankat private, rregullore për sistemin e kontrollit të brendshëm
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të tij miratoi rregulloren “Për sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja”. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rregullore është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, sipas Standardeve Minimale të Komitetit të Bazelit për kontrollin e brendshëm, Direktivën Evropiane, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera, lidhur me rregullimin e veprimtarisë së kontrollit të brendshëm në banka dhe degët e bankave të huaja. Rregullorja fokuson procesin dhe sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja, si pjesë e rëndësishme e qeverisjes së përgjegjshme të bankave. Rregullorja parasheh kërkesat dhe rregullat për organizimin e kontrollit të brendshëm, të zbatueshëm nga bankat. Ajo përfshin disa kritere bazë, që synojnë promovimin e një sistemi të mjaftueshëm të kontrollit të brendshëm, si faktor kryesor në drejtimin dhe administrimin e bankave. Rregullorja do të hyjë në fuqi pasi të botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.
Autoriteti i Konkurrencës, miratohet rezoluta e funksionimit
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës. Komisioni i Ekonomisë kërkoi rritjen e eficiencës së Autoritetit të Konkurrencës për nxitjen e konkurrencës së lirë dhe mbrojtjen e konsumatorit. Sipas kryetarit të këtij komisioni, Spaho, “Autoriteti i Konkurrencës për vitin 2008 duhet të përmirësojë punën për shfrytëzimin e kapaciteteve administrative në përputhje me rritjen e burimeve njerëzore dhe financiare”. Ai ka thënë më tej se, “gjatë këtij viti, AK-ja duhet të punojë për rritjen e profesionalizmit dhe përafrimin me standardet e autoriteteve homologe në mënyrë që të rritet pavarësia e institucionit”. Sipas tij, AK-ja duhet të thellojë hetimet e nisura dhe të punojë për hapjen e hetimeve në tregje të tjera për të eliminuar deformimet e konkurrencës dhe për të mbrojtur konsumatorët.
28 Mars 2008