KESH-i, riparimi i rrjetit në Gërdec 30 milionë lekë
Korporata Elektroenergjetike ka deklaruar dje se vlera e punimeve dhe e riparimeve të rrjetit elektrik në fshatin Gërdec dhe Marqinet 1, pas shpërthimit të 15 marsit, llogaritet në 30 milionë lekë. Sipas KESH-it, rreth 40 për qind e zonës së dëmtuar në Gërdec pritet që sot t'i rikthehet energjia elektrike me vënien në punë të tri kabinave elektrike. Ndërsa në të gjithë zonën energjia pritet të kthehet totalisht deri në fund të muajit. KESH-i prej ditësh po punon brenda zonës së lejuar për rikthimin e plotë të energjisë elektrike pas dëmtimit të linjave dhe mjaft objekteve të rrjetit elektrik nga ngjarja e ndodhur. Rehabilitimi i rrjetit elektrik përfshin bazën materiale të shtyllave, kabllove, kabinave të reja, matësve të energjise elektrike dhe dy transformatorë për nënstacionin e Vorës, duke përfshirë të gjithë zonën e goditur nga shpërthimi.
28 Mars 2008