E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka, marrëveshje me Italinë për sëmundjet gjenetikisht të trashëgueshme



Pacientët me sëmundje gjenetikisht të trashëgueshme do të trajtohen në spitalet italiane. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë një vizite në Itali firmosi në institutin “Mendel”, (Institut i Kërkimeve Shkencore në fushën e gjenetikës), Marrëveshjen e Bashkëpunimit me spitalin “Casa Sollievo della Sofferenza”. Ky spital njihet ndryshe si Spitali i Padre Pio-s dhe është spital i Vatikanit. Në bazë të marrëveshjes parashikohet bashkëpunim në fushën shëndetësore, trajtim i të sëmurëve dhe pacientëve me sëmundje të rralla, me sëmundje gjenetikisht të trashëgueshme, si dhe një sërë patologjish të tjera, të cilat nuk arrihen të trajtohen në spitalet shqiptare.
Po kështu, parashikohet shkëmbimi i përvojave respektive, trajnimeve, specializime për mjekët, studentët dhe infermierët shqiptarë në spitalet italiane. Ministri Ndoka pritet të niset nga Vatikani për në Bari dhe Brindisi për të vizituar të plagosurit e tragjedisë së Gërdecit dhe të afërmit e tyre që kurohen nga entet shëndetësore italiane atje.

Rreth 181 mësues në provë për nivelin profesional

Vlorë - Rreth 181 mësues të arsimit 9-vjeçar të rretheve Vlorë, Delvinë e Sarandë, me një përvojë nga 5-10 vjet në këtë fushë, do t’i ushtrohen testimit profesional. Testimi do të realizohet më 29 mars dhe do të vlerësohet niveli profesional. Inspektorja e Drejtorisë Rajonale të Arsimit të Vlorës, Irida Mëhilli, u shpreh se provimi përkatës synon evidentimin e shkallës së formimit të këtyre mësuesve dhe kategorizimin e tyre. Sipas saj, procesi i provimit do të administrohet nga inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit, të cilët do të vendosen në mjediset e zgjedhura për këtë qëllim. Nga ana tjetër, përgjigjet e testeve do të përcillen pranë Agjencisë së Vlerësimeve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›