Nxënësit e Vorës i kthehen mësimit në shkolla
Në zonat më pak të dëmtuara në Bashkinë e Vorës, nxënësit u janë rikthyer shkollave duke rinisur procesin mësimor. Procesi mësimor është zhvilluar me orar mjaft të reduktuar për shkak të riparimeve që po kryhen. Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, u shpreh se në shkollat 9-vjeçare të fshatit Marikaj, Muçaj, si dhe në shkollën e mesme të Vorës, kanë filluar riparimet e tyre me ritme të përshpejtuara. Në këto shkolla, nxënësit janë rikthyer dje dhe kanë zhvilluar mësim, por me orar të reduktuar. Stafi mësimor u ka kushtuar më tepër vëmendje evidentimit të pasojave të dëmeve materiale, pastrimit dhe sistemimit të bazës materiale, por edhe evidentimit të nxënësve. Qëllimi i kësaj mënyre është marrja e masave për kthimin e normalitetit të jetës së nxënësve dhe funksionimin e mësimit në këto shkolla. Ndërsa mbetet për t‘u zgjidhur problemi i funksionimit të shkollave në zonat më shumë të dëmtuara, siç është ai i fshatit Gërdec. Edhe pse shkolla në këtë fshat mund të rindërtohet në një kohë rekord, pamundësia e kthimit të familjeve pranë vendbanimeve të tyre e vështirëson rinisjen e mësimit aty.
28 Mars 2008