E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i shitjes është rritur nga 180 në 250 lekë/litri. Zëri "vajra dhe yndyrna" është rritur sërish me 7,7 për qind



Ervin Koçi

Edhe pse çmimet e mjaft produkteve ushqimore kanë pësuar luhatje të ndryshme gjatë muajve të fundit, me rritje dhe ulje të ndryshme, vaji i gatimit ka shënuar vetëm një kurbë rritëse. Në të gjithë tregjet dhe pikat e shitjes me pakicë të ushqimeve, vaji i gatimit mban aktualisht një çmim që lëviz nga 240 -255 lekë për litër. Ky çmim, tashmë i fiksuar në tregun tonë që në muajin e parë të vitit 2008, ashtu si dhe shumë artikuj të tjerë të konsumit jetik, por në ndryshim nga këta të gjithë nuk ka pësuar asnjë ulje. Tregtarët e pikave të shitjes me pakicë apo marketeve shprehen se në çmimin e një litri vaji fitimi i tyre është nga 3 në 5 lekë, duke mos justifikuar as koston e transportit të marrjes së këtij malli te pikat e grosistëve. Por ngaqë ky produkt është një prej zërave më të kërkuar për shkak të konsumit mjaft të madh në familjet shqiptare, çdo dyqan ushqimor apo market nuk mund ta “fshijë” atë nga lista e furnizimit. Nga ana tjetër, ekzistenca e vetëm pak fabrikave të këtij produkti në vend bën që vaji i gatimit, kryesisht i lulediallit, të ruajë pozicionin e çmimit monopol në tregun vendas të pakicës. Grosistët nga ana e tyre e justifikojnë rritjen e çmimit edhe me faktin se nga importi futet një sasi akoma jo e konsiderueshme e këtij produkti edhe për shkak të pozicionit monopol që zënë prodhuesit e vajit në tregun vendas.

Fenomeni

Instituti i Statistikave ka vërejtur se ndër mallrat e shportës, zëri "vajra dhe yndyrna" është rritur kohët e fundit me 7,7 për qind. Zërat "bukë e drithëra" me 4,4 për qind, "qumësht, djathë e vezë" me 0,7 për qind, në një kohë që INSTAT-i vëren se rritja e çmimeve është në vijimësinë e një viti më parë. Si rezultat i rritjes së çmimeve për drithrat, naftën dhe vajin në tregjet ndërkombëtare, mori goditje edhe tregu vendas. Si pasojë e kësaj situate ka pësuar rritje jo vetëm mielli dhe nënproduktet e tij, por edhe të gjithë mallrat e shportës, duke filluar me vajin dhe duke përfunduar me mishin. Rritjen më të madhe e ka shënuar vaji ushqimor, i cili është dyfishuar brenda një viti dhe perspektiva është në rritje. Gjithashtu, rritje nga 10 deri në 50 lekë kanë pësuar edhe të gjitha mallrat e tjera. Çmimet e mallrave të importit sipas BSH-së kanë thyer rekordet historike që kur Shqipëria liberalizoi tregtinë me jashtë, duke u rritur në vitin e fundit 8 për qind, ndërkohë që rritja mesatare e çmimeve të mallrave të importit në vitet 2001-2006 ishte 1,2 për qind. Edhe nga raportimet e vetë bizneseve, në vrojtimin e besimit të bizneseve rezulton se rritja e kostove të prodhimit gjatë këtij viti ka qenë rreth dy herë më e lartë se mesatarja historike.

Kontrolli

Rritja e çmimeve të shitjes për produktet ushqimore në tregjet e vendit ka vënë në lëvizje ministritë dhe institucionet e linjës me qëllim parandalimin e rritjeve artificiale të çmimeve si dhe frenimin e tregut informal. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me ministritë e linjës, ka ngritur grupin e punës, me qëllim monitorimin dhe evidentimin e tregut për çmimet e shitjes së vajit ushqimor në të gjithë vendin. Çmimi i shitjes se vajit ushqimor në vend është rritur ndjeshëm, nga 180 lekë/litri ai ka shkuar në 240 lekë/litri. Sipas ekspertëve të bujqësisë, çmimet i vendos vetë tregu sipas kërkesë-ofertës, por grupi i punës do të evidentojë nëse kjo rritje çmimi ka baza objektive apo është pjesë e tregut informal, që rëndon me të padrejtë mbi konsumatorët. Në planin e punës së grupit të inspektorëve prej kohësh kanë qenë edhe kontrollet përsa i përket cilësisë, llojit të vajit, peshës, emërtimit dhe etiketimit konformë ligjit për ushqimet etj. Sipas specialistëve, aksioni që ka nisur rreth një muaj më parë po kontrollon edhe industrinë e prodhimit të vajit në vend, duke evidentuar problemet e konkurrencës së pandershme që ndikon dhe në rritjen apo uljen e prodhimit vendas.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›