E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat rrisin komisionet si masë antikrizë

Komisionet për shërbimet e ndryshme bankare, përfshirë mirëmbajtjet e llogarive dhe shërbimin e kartave të debitit, janë shtrenjtuar në mënyrë të ndjeshme gjatë muajve të fundit, pasi një pjesë e bankave po përpiqen t‘ua kalojnë klientëve kostot e krizës, bëhet e ditur nga ekspertë. Në shumicën dërrmuese të rasteve ka pasur rritje komisionesh deri në dyfish, ndërsa janë vendosur për herë të parë komisione mbi tërheqjen e parave nga automati. Kështu, një pjesë e bankave ka filluar për herë të parë të mbajë komision prej 200 lekësh në muaj për shërbimin e kartës së debitit, ndërsa për tërheqjen e parave nga automati paguhet 100 lekë komision. Për pagesat me kartë në terminalet e shitjeve POS apo në internet, në shumë raste komisionet janë rritur nga 1 apo 1.5 për qind, deri në 2.5 për qind. Në shumicën dërrmuese të rasteve, ndryshimi i tarifave nga bankat në Shqipëri bëhet pa lajmërimin e klientit. Bankat thonë se kanë të drejtë të ndryshojnë tarifat pa paralajmërim, në bazë të kontratave që kanë nënshkruar, por kjo gjë bie ndesh me Kodin Civil, ku sanksionohet se një kontratë nuk mund të ndryshohet pa miratimin e të dyja palëve.

Ndonëse presupozohet se shqiptarët as nuk po e vënë re fare shtrenjtimin e shpejtë të shërbimeve bankare, shifrat e shoqatës së bankave flasin ndryshe. Nga janari deri në qershor të këtij viti, është shënuar një ulje e ndjeshme e numrit të kartave të debitit në qarkullim. Kështu, në janar qenë 718 mijë karta debiti dhe krediti, por në qershor numri i tyre ra në 542 mijë.

Bankat në Shqipëri janë akuzuar prej kohësh me abuzime në shkallë të gjerë, me asimetrinë e informacionit, duke filluar nga reklamat e rreme apo çorientuese, deri tek ofrimi i shërbimeve me kosto të fshehta. Nën këmbënguljen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë miratoi disa rregullore vitin e kaluar, duke i detyruar bankat të sqarojnë në mënyrë më sintetike dhe të hapur qytetarët mbi kreditë, por mbrojtja konsumatore përballë sistemit financiar mbetet ende një koncept i panjohur në Shqipëri. Bankat përfituan gjatë viteve të fundit nga disa rregullore shtetërore që kaluan me detyrim një numër të madh shqiptarësh nëpër sportelet bankare. Por në shumicën dërrmuese të rasteve, konsumatorët nuk patën mundësi të zgjedhin bankën, gjë që krijoi një kufizim të konsiderueshëm konkurrence. Që nga ajo kohë, çmimet e shërbimeve të ndryshme bankare kanë shënuar vetëm rritje. Gjatë tri viteve të fundit, në Shqipëri hyri koncepti i komisionit të mirëmbajtjes për llogarinë bankare, ndërsa në disa banka ka filluar të zbatohet edhe komision për tërheqje.

Bankat e kanë përqendruar vëmendjen kryesore në rritjen e të ardhurave nga shërbimet bankare gjatë vitit të fundit për shkak se fitimet nga interesat kanë arritur në stanjacion, ndërkohë që shumë banka janë detyruar të rrisin provigjonet për kreditë e këqija.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›