E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti Studenti "shpëton" nga shtëpitë me qira

Numri më i madh i studentëve, që pritet të pranohen këtë vit në auditorët e Universitetit të Tiranës, duket se nuk do të vërë në vështirësi drejtuesit e këtij kompleksi bujtinash për sistemimin e të rinjve. Kjo edhe për shkak të një tendence që po vërehet vitin e fundit, jetesa në shtëpi me qira. Janë të shumtë të rinjtë nga rrethet që jetën studentore në kryeqytet vendosin të mos e kalojnë në godinat e Qytetit Studenti, por në shtëpi me qira, veçanërisht sa më pranë fakulteteve ku studiojnë. Ata grupohen sipas shoqërisë me dy apo tre veta dhe për nëntë muajt e shkollës jetojnë në ambiente me qira. Tarifa aktuale për një vit në bujtinat e Qytetit Studenti është 30000 lekë të reja. Kjo shumë nuk qëndron fort larg nga ajo që i takon të paguajë secilit në një banesë me qira për nëntë muajt e shkollës. Drejtues të agjencive imobiliare shprehen të kënaqur me punën që garantojnë nga studentët dhe jo vetëm nga ana që zgjedhin universitetet private, por edhe nga ata të sistemit publik të arsimit të lartë.

Ata të bëjnë edhe llogaritë kur thonë se në një banesë me qira 15 mijë lekë në muaj, që e marrin tre studentë, secilit i takon të paguajë 5 mijë lekë. E shumëzuar kjo shumë me nëntë muajt e shkollës, çdo studenti i takon të shpenzojë për banesën 45 mijë lekë në total, pra vetëm 15 mijë lekë më shumë.

Ndërkohë që vetë drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, shpjegon se sipas një shkrese të ardhur nga ana e rektoratit të UT-së bëhet fjalë që këtë vit të sistemohen rreth 2300 studentë në bujtinat e të rinjve. Ndërsa kapaciteti në total është për 2600 studentë.

Ai bën të ditur, gjithashtu, se janë dy godina meshkujsh që do të ndryshojnë "destinacion". Ato do të vihen në shërbim të vajzave studente, numri i të cilave është mbizotërues në këtë qytet rinor. E duke ju referuar drejtorit Brovina dhe statistikave në Qytetin Studenti raporti mes femrave dhe meshkujve, që gjejnë strehë aty ka arritur në 7 me 4 në favor të vajzave. Por përveç këtyre dy godinave, kapaciteti i secilës arrin në 600 vende, pritet që të lirohet edhe një tjetër bujtinë e tretë. Ndryshe quhet edhe godina e familjarëve. Drejtori Brovina shprehet se të gjithë banorët e kësaj godine kanë marrë njoftimin që të gjejnë një sistemim tjetër, ndërsa bujtina do të vihet në dispozicion të të rinjve studentë.

Nga ana tjetër, drejtori i qytetit me moshën më të re në vend, bën të ditur se këtë vit do të garantohet për herë të parë edhe qëndrimi tre veta në një dhomë, për të gjithë studentët. Ai shton se edhe shërbimi i internetit do të vazhdojë të jetë funksional dhe tarifat e jetesës nuk do të ndryshojnë. Po kështu edhe aplikimi për studentët e rinj do të jetë on-line, ku në shërbim të tyre vjen edhe informacioni i hedhur në faqen e internetit www.qytetistudenti.com

Përveç kësaj për studentët e viteve të dyta dhe ata më lart listat janë bërë gati. Madje, ato janë afishuar edhe në dyert e godinave dhe gjithçka është gati. Fillimisht, shprehet drejtori Brovina, ne realizuam atë që quhet listë-pasaporta, ku secilit prej studentëve iu mor preferenca se me kë dëshironte të qëndronte në dhomë. Kjo për shkak të moskrijimit të pakënaqësive për të ndarë një vit të jetës studentore. Brovina thekson se një gjë e tillë jo vetëm që shmang pakënaqësitë, por edhe ndihmon në parapërgatitjen e punës për fillimin e vitit akademik. Tashmë, vëmendja kryesore e 450 punonjësve, që numëron ky qytet do të përqendrohet kryesisht te të ardhurit e rinj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›