E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat rrisin kreditimet për bizneset e individët

TIRANE- Bankat rrisin kreditimin për bizneset dhe qytetarët. Të dhënat e fundit të Shoqatës së Bankave tregojnë për një rritje të ndjeshme të financimit të ekonomisë nga sistemi bankar. Sipas statistikave deri në fund të muajit qershor, bankat kanë dhënë 523.4 miliardë lekë kredi, ose 6. 6 miliardë lekë më shumë se një muaj më parë, ndërsa prej fillimit të këtij viti niveli i huasë është rritur me 33. 1 miliardë lekë.

Në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për aktivitetin kreditues në vend konstatohet se sistemi bankar ka rritur financimet si për bizneset ashtu dhe për individët. Gjatë këtij viti evidentohet një rritje e kredive për blerje banesash, ndërkohë që bankat kanë lëvruar për qytetarët edhe kredinë konsumatore. Por rritja e nivelit të kreditimit është shoqëruar dhe me rritjen e kredive të pakthyera.

Nga të dhënat e Shoqatës së Bankava rezulton se në fund të qershorit niveli i kredive me probleme arrit në 17%, duke shënuar një rritje prej 1. 4% kundrejt muajit të mëparshëm. Rritja e nivelit të kredive të këqija nuk prek likuiditetin e sistemit bankar dhe as gjëndjen e shëndoshë të tij, kjo pasi bankat vijojnë të rezultojnë me fitim. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave prë 6 mujorin e parë të këtij viti bankat regjistruan një rezultat financiar pozitiv në vlerën e 6.6 miliardë lekëve, krahasuar me një vit më parë, fitimet e bankave janë rritur me 8.2 %.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›