E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat shtrëngojnë kushtet, më pak kredi për biznesin

Emirjon Senja

Ulja e normës bazë të interesit për lekun në treguesit historik të tij me qëllim stimulimin e kreditimit duket se do të ndikojë vetëm në anën e rritjes së kërkesës, pasi bankat do të jenë më pak të gatshme të ofrojnë financimin e kërkuar. Rritja e kredive me probleme, gjendja financiare e bizneseve si edhe situata makroekonomike në përgjithësi, bëjnë që bankat të jenë më dorështrënguara në drejtim të kreditimit të biznesit.

Banka e Shqipërisë ka publikuar sëfundmi një vrojtim të aktivitetit kreditues përgjatë fundit të 2011 dhe parashikimet e bankave për tre mujorin e parë të këtij viti. Për hartimin e raportit, ekspertët e BSH-së kanë kontaktuar me menaxherë të bankave tregtare duke marrë prej tyre parashikime mbi politikat që do të ndiqen gjatë këtyre muajve në drejtim të kreditimit. Rezultati paraqitet negativ në drejtim të standardeve të kredisë duke prekur drejtpërdrejtë biznesin. Bankat parashikojnë një shtrëngim të mëtejshëm të kushteve për lëshimin e kredive ndaj biznesit edhe gjatë tre mujorit të parë të këtij viti duke iu kundërvënë politikave të Bankës Qendrore, e cila ka ulur deri në 4.5 për qind normën bazë të interesit për lekun.

Në këtë mënyrë, bizneset do të jenë më pak të parapëlqyer nga bankat krahasuar me individët në rastet kur do të kërkojnë të financohen. Për sa i përket tremujorit të parë të vitit 2012, bankat presin vijim të shtrëngimit të standardeve, si për kredinë për investime ashtu dhe për kredinë për kapital qarkullues. Shtrëngimi pritet të ndikojë më shumë kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme se sa kredinë për ndërmarrjet e mëdha. Nga ana tjetër, pritjet për kërkesën vijojnë të jenë pozitive, – citohet në vrojtimin e BSH-së. Të njëjtat pritshmëri në drejtim të shtrëngimit të standardeve të kredisë për bizneset, bankat i kanë pasure dhe gjatë tre mujorit të fundit të këtij viti duke vërtetuar kështu politika më konservatore ndaj sipërmarrjes private krahasuar me individët.

Por si pasqyrohet shtrëngimi i kushteve të kredisë tek bizneset? BSH tregon se bankat kanë rritur kërkesat për kolateralin, kanë ulur maturitetin si edhe shumën e parave që huazojnë. Këtu nuk përjashtohet edhe rritja e kostos. Gjatë tremujorit të katërt, në ndryshim nga dy tremujorët e kaluar, shtrëngimi i standardeve është aplikuar edhe nëpërmjet rritjes së komisioneve, – vijon banka.

Pavarësisht këtyre treguesve, pozitiv është fakti që biznesi kërkon financim dhe këtë e bën jo vetëm për të mbyllur llogaritë e momentit por edhe për të investuar. Nga vrojtimi mësohet se pjesa dërrmuese e kërkesës së bizneseve për kredi lidhet me nevojën për financimin e investimeve dhe jo me financimin e kapitalit qarkullues, e cila për herë të parë nuk është kontribuuesi kryesor në rritjen e kërkesës së përgjithshme të bizneseve për kredi.

Preferohen më shumë individët

Ndryshe nga biznesi i cili ka kërkuar më shumë kredi ndaj bankave, individët kanë qenë më pak të prirur në këtë drejtim gjatë fundit të vitit 2011 ndërsa parashikohet një rritje e kërkesës gjatë tre mujorit të parë të këtij viti. Rënie në fund të vitit të shkuar ka pësuar kërkesa e kredisë për blerje banese ndërsa është rritur kredia konsumatore. Rritja e depozitave, por edhe konkurrenca midis bankave ndërkohë, i kanë bërë këto të fundit që të jenë më të prirura të kreditojnë individët gjatë fundit të vitit të shkuar. Ndërsa, kreditë më probleme dhe gjendja financiare kanë ndikuar negativisht në rritjen e kreditimit për individët.

Pritet ulje tjetër e interesave

Ulja e konsumit, kryesisht gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011 bën që BSH të ulte dy herë rresht brenda pak muajsh normën bazë të interesit, vendime të cilat u ndoqën nga një tjetër ulje një javë më parë. Pas tre ndërhyrjeve të BSH-së, norma bazë e interesit për lekun është aktualisht në treguesit e saj më të ulët historik, 4.5 për qind. Vendimet u morën me qëllim stimulimin e konsumit, por nëse gjërat do të vijojnë sërish të ecin në këto ritme, por edhe investimet nuk do të rriten, BSH pritet të ndërhyjë sërish duke ulur interesat.

Bizneset, 72 % të kredive

Bizneset mbajnë pjesën më të madhe kredive të lëshuara nga bankat. Të dhënat e fundit të publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se bizneset kanë marrë 398 miliardë lekë kredi kundrejt 155 miliardë lekëve të marra nga individët. Nisur nga kjo, bizneset janë ata që kanë pjesën më të madhe të kredive të këqija ndaj bankave. Duket se kjo është edhe arsyeja kryesore se përse bankat hezitojnë të kreditojnë biznesin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›