E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rrëzon prokurorinë, Prendi mbetet në arrest shtëpie

Flamur Vezaj

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet rrëzoi për të dytën herë organin e akuzës, duke mos pranuar kërkesën që ish-komandanti i Gardës, i dyshuari Ndrea Prendi të kthehet në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg. Ishte gjyqtari Shkëlqim Mustafa, i cili pasi dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve të akuzës dhe avokatit mbrojtës të të dyshuarit Prendi, vendosi që të mos ndryshojë vendimin e datës 22 Janar 2012, ku ndaj ish-komandantit tashmë ishte caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie.

Sipas të dhënave të mësuara pranë togave të zeza pasi seanca u zhvillua me dyert të mbyllura, i pari që e mori fjalën para gjyqtarit Mustafa ishte prokurori Genci Qano që kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit Prendi. Për të mbështetur kërkesën tonë për zëvendësimin e masës së sigurisë, kërkojmë që të administrohen në dosje dy shkresa të njësuara me origjinalin. Njëra është kopja e fletës së regjistrit të armëve që ndodhet pranë Gardës së Republikës, ku konsiston me faktin që arma e llojit Bereta 9 mm me nr. P52796Z është tërhequr nga shtetasi Ndrea Prendi. Përveç kësaj shkrese, po ju dorëzojmë edhe kopjen e vendimit të sekuestrimit të tetë pistoletave. Të cilat janë të renditura sipas regjistrit të armëve, numri i pistoletës dhe personi që disponon atë. Në mesin e këtyre emrave është edhe shtetasi Ndrea Prendi me armën me nr. P52796Z. Me anë të këtij vendimi është kërkuar sekuestrimi i këtyre tetë pistoletave, ku vetë i dyshuari Prendi e ka sigluar, duke urdhëruar shefin e armatimeve të Gardës së Republikës, tia vërë në dispozicion organit të akuzës këto armë,- mësohet se është shprehur prokurori Qano, duke shtuar se edhe këto shkresa provojnë se nga arma e të dyshuarit Prendi ka gjetur vdekjen demonstruesi Faik Myrtaj. Përveç, këtyre provave përfaqësuesi i akuzës renditi përsëri manipulimin e provës nga vetë i dyshuari Prendi për mbi 8 muaj, duke treguar kështu mos bashkëpunimin me grupin hetimor të pasojave të demonstratës së 21 Janarit 2011.

Vetë ish-komandanti Prendi nuk kishte preferuar të paraqitet në sallën e gjyqit, ku ishte i pranishëm avokati i tij mbrojtës Genc Gjokutaj. Ky i fundin, në fjalën e tij i kërkoi togave të zeza të mos ndryshojë vendimin e datës 22 Janar 2012, duke i sugjeruar njëherazi që administrimin dhe debatin për provat tia lërë në dorë treshes së Gjykatës së Apelit, ku janë depozituar ankimet. Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjyqtari Mustafa u tërhoq për vendim, ku pas kthimit në sallën e gjyqit, vendosi të rrëzoi kërkesën e prokurorisë, duke u shprehur ndër të tjera: Gjykata e Shkallës së Parë është shprehur njëherë me vendim për këtë kërkesë dhe konstatuam se nuk kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat që nga momenti i caktimit të masës së sigurisë arrest shtëpie. Për këtë fakt rrëzojmë kërkesën e prokurorisë, pasi edhe vendimi tashmë është ankimuar pranë Gjykatës së Apelit.

Apeli, datat kur do shqyrtohen kërkesat

Gjykata e Apelit ka caktuar datën 8 Shkurt 2012, si ditën kur do të shqyrtoj ankimin e prokurorisë mbi vendimin për caktimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për shtetasin Ndrea Prendi dhe shoferin e tij Margarit Kume. Ndërsa, për të dyshuarin Armando Kasa, inxhinieri i IT-së së kryeministrisë, Apeli ka caktuar datën 12 Shkurt 2012 si ditën kur do të shqyrtojë ankimin e task-forcës së prokurorisë së Tiranës. Mësohet se kryesuesi i treshes gjykuese të shqyrtimit të ankimit të prokurorisë, do të jetë gjyqtari Artan Broci dhe anëtarët Gjin Gjoni e Edmond Goga.

Prokuroria amerikan merr pjesë në seancën gjyqësore

Ndryshe si herëve të tjera, në seancën e djeshme gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë ku po shqyrtohej kërkesa e prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit Ndrea Prendi, ishte i pranishëm edhe prokurori amerikan që asiston pranë grupit hetimor të pasojave të demonstratës së 21 Janarit 2011. Mësohet se prokurori amerikan, e ka ndjekur me vëmendje të gjithë seancën gjyqësore i shoqëruar nga një përkthyese, i cili mbante edhe disa shënime në bllokun e tij personal. Në disa momente, mësohet se prokurori amerikan para se të fillonte seanca ka shkëmbyer disa mendime me prokurorët e çështjes që ndodheshin në sallën e gjyqit, Genci Qano dhe Marjeta Zaimi. Pas vendimit të Gjykatës që nuk ndryshoi masën e sigurisë së të dyshuarit Prendi, prokurori amerikan është larguar me makinën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›