E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat s’njohin ligjin kundër pastrimit të parave

22/09/2011  Takimi në Shoqatën e Bankave. Problematike sidomos disa banka të caktuara

Të përmirësohen raportimet dhe përshtaten sistemet e informacionit nga bankat

Tendenca e raportimeve nga bankat për rastet e dyshimta të pastrimit të parave ka ardhur në rritje. Megjithatë, kjo problematikë ende mbetet sidomos në disa banka të përcaktuara. “Nga analiza e raportimeve, korrespondencës me bankat dhe inspektimeve të kryera, konstatohet gjerësisht mosnjohje e ndryshimeve të fundit ligjore, implementimi i të cilave nga bankat është e pritshme që të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit dhe cilësisë së RAD-ve”, - theksojnë përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Deklarata është bërë gjatë një takimi të organizuar nga Shoqata e Bankave me përfaqësues të bankave dhe të DPPPP-së për shqyrtimin e problematikave që lidhen me numrin ende të ulët dhe për rritjen e mëtejshme të cilësisë së RAD të dërguara nga bankat, përmirësimin e cilësisë të raportimeve të transaksioneve të vlerave, si dhe përshtatjen e sistemeve software nga bankat për të gjeneruar informacion edhe për personat që ndonëse nuk kanë llogari bankare, kryejnë veprime bankare në emër e për llogari të personave të tretë. Ky takim u realizua nga Shoqata e Bankave në vlerësim të shqetësimeve të parashtruara në vijimësi nga ana e DPPPP-së. Përfaqësuesi i Sektorit të Teknologjisë së Informacionit pranë DPPPP-së bëri prezent disa nga problematikat kryesore në lidhje me raportimet e bankave, si dhe u informuan bankat në lidhje me përmirësimin e sistemit të raportimit pranë DPPPP-së. Në diskutimet nga përfaqësuesit e bankave, ishte i dukshëm sensibiliteti i tyre në lidhje me këto çështje, për zgjidhjen e të cilave u ra dakord që përveç takimit të radhës më datë 26 shtator 2011, Shoqata e Bankave të vijojë konsultimet me secilën bankë dhe të informojë DPPPP për kohën e realizimit të çështjeve.

Gjobat

Në fund të vitit 2009, Shoqata e Bankave i propozoi DPPPP-së rishikimin dhe ndryshimin e ligjit mbi “Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit”, sidomos rishikimin e nenit 27 të ligjit ku citohen vlerat e gjobave. Sugjerimet e AAB-së u morën në konsideratë dhe drafti final i ligjit, i cili është miratuar në Parlament në mars të vitit 2011 dhe përcakton që gjobat variojnë nga 300 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›