E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, taksë e re globale

Autori i Lajmit: Nga Fatmir Terziu
Pak ditë pasi “The Economist” botoi një artikull me një panoramë të gjerë të situatës ekonomike në vendet e Evpropës Juglindore e Qendrore, ku vëmendje iu kushtua edhe Shqipërisë, erdhi një propozim nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown i cili propozon taksë të re. Kjo taksë u propozua në tubimin e G-20. Sipas mediave u mësua se Zoti Brown, “ka propozuar një taksë mbi transaksionet financiare për të ndihmuar mbrojtjen e botës nga një krizë tjetër bankare”. Në këtë propozim mësohet se Kryeministri Brown thotë se përfitimet e bankave duhet të ndahen. Sipas BBC-së “Duke folur para ministrave të financave nga G-20 dhe vendeve në zhvillim, në një takim në Skoci, zoti Brown tha se nuk ishte e pranueshme që përfitimet e suksesit të bankave të merreshin vetëm nga një pakicë, ndërsa kostoja e dështimit të tyre të binte mbi të gjithë.” Më tej mësohet se Zoti Brown ka thënë se Britania nuk do të vepronte e vetme dhe çdo taksë e re mbi sistemin bankar duhet të ishte një marrëveshje globale. Zoti Brown thotë se kjo mund të formojë pjesë të një kontrate të re globale ekonomiko-sociale për të siguruar që takspaguesit kurrë më nuk do të mbanin mbi shpatulla koston e dështimit bankar. Në fakt në Shqipëri faktori krizë me koston e dështimit bankar është shoqëruar me mënyra disi ndryshe, jashtë sistemit bankar. Kjo për vetë faktin se lidhet me paratë që dërgojnë emigrantët. Meqënëse bankat shqiptare më së shumti mbushen me paratë e ardhura nga jashtë, ky fenomen mbetet një arsye e debatueshme. Sipas BBC-së mësohet se “Kriza ekonomike ka ndikuar në uljen e remitancave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët megjithatë, vazhdojnë të dërgojnë para tek të afërmit e tyre në Shqipëri, ndonëse me shuma më të vogla se më parë. Faktin se dërgesat vazhdojnë, por jo me shuma të konsiderushme, e vërteton edhe zonja Demada Muzaka, drejtoreshë e operacioneve të bankës Intesa San Paolo, dega Greqi, një bankë që operon kryesisht me emigrantët shqiptarë.” Sipas bankieres shqiptare, ulja e transfertave për blerje banesash apo trojesh, lidhet drejtpërdrejtë me krizën ekonomike. Dr. Alqi Naqellari në një intervistë të tij shprehet: “Inflacioni në Shqipëri është përgjithësisht i importuar dhe në këtë pikë Banka Shqiptare ndikon pak”. Sipas zotit Naqellari, në ekonominë shqiptare kriza ka shumë ndikim, ndërsa më pak në sistemin bankar. Por ndërsa sipas artikullit të “The Economist” duket mosprekje krize në ekonominë shqiptare, propozimi i zotit Brown përbën një vëmendje të veçantë për ekonomistët e bankat. Në këtë artikull, prestigjozja, “The Economist” u ndal veçanërisht në vendet ish-komuniste dhe mënyrën se si këto vende po kalojnë krizën ekonomike botërore dhe impaktin që kjo krizë ka patur dhe do të ketë në ekonomitë e këtyre vendeve. Ky artikull, në analizën e tij fokuson qartë përmes një harte, sipas burimeve të EBRD (BERZH), se Shqipëria është vendi me rritjen më të lartë
...ekonomike në Evropë (sipas EBRD me 3%) dhe se bashkë me Poloninë (sipas EBRD me 1.3%) janë të vetmet vende që do të kenë një rritje ekonomike pozitive, dhe këto të dhëna janë edhe më befasuese krahasuar me Kroacinë me -5.4%, Çekinë me -4.3%, Hungarinë me -6.5%, Slloveninë me -7.8%, Sllovakinë me -6%, Bullgarinë me -6%, Bosnjë Hercegovinën me -3.1%, Rumaninë me -8%, Turqinë me -6%, Rusinë me -8.5% etj. Kështu mësohet se në këtë krizë që shënoi recesionin botëror, Shqipëria dhe ekonomia e saj, sidomos sistemi bankar shqiptar, duken të jenë disi në një pavarësi, apo më saktë në një mosndikim nga jashtë. Sa i vërtetë është ky faktor ndikues apo mosndikues? Po ti referohemi artikullit në fjalë, mësohet se një anketim ka diktuar disa fakte. Gazeta sqaron “Shumica e të anketuarëve nga Banka Botërore dhe EBRD u shprehën optimist për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Shqetësimi është se kriza ekonomike globale ka dëmtuar besimin në të ardhmen dhe ka intensifikuar zymtësinë për të tashmen.” Po në fakt rritja e shpejtë ka lehtësuar pakënaqësitë ndaj politikanëve të korruptuar dhe burokratëve. Dhe kjo është arsyeja që sjell një shqetësim serioz në ecurinë përpara, pasi sipas “The Economist” barrierat joformale dhe rrjetet e vjetra komuniste nuk lënë aksesimin e ekonomisë nga të huajt, që ka një kosto shumë të madhe për eficencën. Bërja e insitucioneve shtetërore të punojnë më mirë është më e thjeshtë për tu diskutuar sesa për tu arritur. Ka qenë e qartë prej kohësh, që faktorë të paprekshëm kanë të bëjnë me kulturën kombëtare dhe nivelet e besueshmërisë sociale luajnë një rol më të madh se rregullat në ekonomitë ish-komuniste. EBRD thekson “vlerat, sjelljet dhe praktikat” në përcaktimin e asaj që përbën “sjellje të pranueshme brenda firmës ose nga nëpunësit e qeverisë”. (Albanian Mail)
Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›