E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “KESH-i, i rënduar nga borxhet dhe kreditë”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Më shumë se 200 milionë euro kredi e kanë rënduar shumë situatën financiare të KESH-it. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti thotë se kjo situatë është vështirësuar sidomos pas privatizimit të OSSH-së dhe kalimit të borxheve për llogari të korporatës. "Problemi i madh që ka KESH-i është që gjithë borxhet që ka pasur ky sistem i janë transferuar KESH-it. Ai paguan dhe disa nga borxhet e OSSH-së që u transferuan atje para privatizimit, paguam disa nga borxhet e OST-së dhe ngarkesa që ka KESH-i është pagesa e borxheve, rreth 200 milionë euro, kredi që paguhen sot nga KESH-i", u shpreh Dritan Prifti, ministër i METE-s. Borxhet janë edhe shkak i mosmarrëveshjeve që KESH ka me kompaninë, tashmë private, OSSH. Por, ministri Prifti, ndryshe nga vartësi i tij në drejtim të KESH-it paraqitet optimist për zgjidhjen e situatës. "Ajo që ka deklaruar Stojku është vetëm pjesë e së vërtetës, sepse në fakt dhe KESH-i i ka borxhe OSSH-së, ashtu si dhe OSSH i ka disa borxhe. Pra, duhet bërë një rakordim më i mirë, por unë them që çdo gjë është në rrugën e duhur", vijoi Prifti. Por, pas vështirësive financiare ka edhe një lajm të mirë. KESH-i po i rrit ndjeshëm fitimet e veta falë situatës së favorshme hidrike. "Situata hidrike është shumë pozitive, ne kemi qenë të shqetësuar që të mos lejonim të derdhim ujin në ndonjë nga digat tona", përfundoi ministri. Prej muajsh vijon eksporti i energjisë, ndërkohë që sasi të konsiderueshme të saj janë depozituar në Kosovë. Vetëm në 6 muajt e parë të 2009 KESH arkëtoi 15 milionë euro nga eksporti i energjisë.

Kompania ÇEZ Albania, e cila ka privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp ku ka sqaruar pozicionin e saj lidhur me hetimin që Komisioni Evropian ka nisur në selinë e saj qendrore. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë hetimi i nisur është në përputhje me rregullat në fuqi dhe se ai vjen për shkak të rritjes që ka pësuar grupi ÇEZ. Çez-i shprehet në deklaratën për shtyp se: Më datë 24.11.2009 në orët e para të mëngjesit në zyrat e drejtorisë ÇEZ në Pragë dhe në adresën zyrtare të shoqërisë së minierave të Çekisë Veriore të grupit CEZ, u paraqiten punonjësit e inspektimit të Komisionit Evropian, duke i dorëzuar përfaqësuesit të kompanisë urdhrin e komisionit sipas të cilit kompania duhet ti nënshtrohej kontrollit bazuar në ligjin nr.20, paragrafi 4 urdhëresa 1/2003 dhe menjëherë nisën kontrollin. Komisioni Evropian e justifikoi kontrollin, duke dhënë arsyen se ka informacion që ÇEZ mund të ketë tentuar të kufizojë zhvillimin e konkurrencës midis kompanive në tregun e energjetikës. Më konkretisht u tha se ÇEZ mund të kishte krijuar pengesa në projektet e prodhuesve konkurrent të energjisë dhe që mund të jetë i implikuar në kufizimin e tregtisë së qymyrgurit ose që mund të ketë manipuluar çmimet në tregun çek të energjetikës. Ky kontroll vjen si rrjedhojë logjike e rritjes së ÇEZ, i cili sot është pjesë e kompanive më të mëdha të energjetikës dhe për këtë arsye ndodhet nën një mbikëqyrje të rreptë. Komisioni Evropian në të njëjtën mënyrë ka ushtruar kontroll dhe mbi 20 kompani të tjera energjetike në 6 shtete, së fundmi në mars të vitit 2009 realizoi kontrollin e rreptë në gjigantin Electricité dFrance në Francë. Para një viti u inspektua gjithashtu kompania gjermane EON. Sipas drejtuesve të kësaj kompanie të gjitha veprimet e kryera në tregun e energjetikës janë në përputhje me të gjitha ligjet, rregullat dhe etikën. Duke marrë në konsideratë se Komisioni Evropian disa herë është shprehur se tregu ne Republikën Çeke është nga më të hapurit në Komunitetin Evropian, mendojmë se edhe ky inspektim do të dalë me të njëjtin përfundim. Prandaj këtë kontroll e mirëpresim dhe e shohim si një mundësi për ti dhënë fund spekulimeve të përhapura nga konkurrentët tanë dhe nga kompanitë, me të cilat jemi në kontradikta tregtare.

Hetimi i kompanisë CEZ
nga komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka filluar zyrtarisht një hetim ndaj kompanisë çeke “CEZ”, pasi dyshohet për praktika ilegale dhe kufizim të konkurrencës në treg nga ana e kësaj kompanie. Kompania çeke “CEZ” bleu 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri. “CEZ”, kompania më e madhe në tregun energjetik në Evropën Lindore, dyshohet se ka përdorur fuqinë e saj financiare për të nxjerrë nga tregu konkurrentët e tjerë dhe duke se ka rritur artificialisht çmimet e energjisë në tregun çek të shitjes me shumicë të energjisë. Hetimi mund të zgjasë disa muaj dhe nëse ekspertët e Komisionit Evropian do të arrijnë të provojnë dyshimet e ngritura, kompania çeke rrezikon një gjobë, e cila mund të arrijë deri në 1.8 miliardë dollarë, ose sa 10 për qind e xhiros vjetore të kompanisë në vitin paraardhës.

Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›