“Bankat të japin kredi, të ulin interesat”
nertila maho
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani i ka bërë dje thirrje sistemit bankar për kreditim të biznesit, ulje të normës së interesit dhe komisioneve. Gjatë prezantimit të raportit vjetor para Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Fullani vuri në dukje se biznesi duhet të jetë më transparent dhe të shpalosë projekte konkrete para bankave për të nxitur kreditimin. Interesit të deputetëve për aplikimin e tarifave të tilla, si ajo e shërbimit apo komisioneve, Guvernatori iu përgjigj me informimin se Banka e Shqipërisë aktualisht po studion këtë proces. "Këtu ka disa koncepte bazë të bankave qendrore. është një koncept bazë që është të bindësh tregun me moral, por krahas këtij morali duhet të jesh i angazhuar edhe me masa administrative, të cilat po i zhvillojmë lidhur me këtë aspekt".
Inflacioni
Përmbytjet në vend gjatë fillimit të këtij viti, rritja e çmimit të dritave, shtrenjtimi i naftës dhe faktorë të tjerë që lidhen me krizën globale janë përcaktuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si shkaqe të rritjes së inflacionit. "Fakti që ky i fundit po kalon në kahun pozitiv lidhet me krizën e vitit të kaluar, e cila ishte në përmasa dhe intensitet të paparashikuar. Duke parashikuar rritjen e inflacionit, ne morëm masat në kohën e duhur por nga ana tjetër ndikuan shumë çmime të tjera që nuk ishte menduar që do lëviznin në këtë kontekst", tha Guvernatori. Sipas tij, aktualisht inflacioni është i kontrollueshëm pavarësisht trendit në rritje. "Mendojmë që nga fundi i 6-mujorit të dytë do të ketë një përmirësim të shifrave dhe ai do të jetë brenda objektivit tonë", tha Fullani. Lidhur me një ndryshim të mundshëm të makromodelit, kreu i Bankës së Shqipërisë u shpreh se brenda institucionit që ai drejton kjo është një bisedë që shtrohet herë pas here. "Ditëve të fundit po diskutojmë për një rishikim të makromodelit. Eksperienca e arritur për një harmonizim sa më të mirë të politikës monetare me atë fiskale, e testuar gjatë krizës, është një bazë e shëndoshë për ndërgjegjësim kombëtar, lidhur me proceset e huamarrjes, borxhit, efektivitetit të tij dhe zhvillimit afatgjatë të ekonomisë shqiptare, bazuar në fondamentet makroekonomikë të qëndrueshëm dhe efektivë", informoi Guvernatori. Komunikimin me institucione të tilla, si Ministria e Financave dhe Qeveria, Fullani e ka kornizuar si komunikim konstruktiv dhe realist. "Mendoj që sugjerimet tona, lidhur me deficitin buxhetor, masën dhe efektet e tij, borxhin në përgjithësi, menaxhimi i këtij borxhi, konsolidimi i treguesve fiskalë kanë pasur efektet e tyre në komunikimet me Qeverinë dhe kanë bërë ndërgjegjësimin përkatës dhe harmonizim sa më të mirë të politikave", tha ai.