E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, prezantohet buxheti i mbetur pezull në këshill



DURRRES/ OERD ULQINI

Me shpresën se në ditët e ardhshme do të miratohet buxheti i bashkisë së dytë më të madhe në vend, kryebashkiaku i Durrësit prezantoi dje buxhetin e vitit 2010. "Më shumë ngjyra këtë vit për Durrësin", ishte slogani që pohoi Vangjush Dako.
Në fjalën e tij Dako u shpreh se, gjatë hartimit të buxhetit i është kushtuar gjithmonë rëndësi vlerësimit të opinionit të qytetarëve për shërbimet e ofruara. "Nga përfundimi i këtyre takimeve me grupet e komunitetit dhe nga rezultatet e sondazheve të organizuara, ka rezultuar që për qytetaret e Durrësit për vitin 2009 janë renditur si më prioritare këta sektorë: infrastruktura rrugore, shërbimet publike, rikualifikimet urbane dhe gjelbërimi, pastrimi i qytetit dhe strehimi social", u shpreh kryetari. Plani i shpenzimeve kapitale për vitin 2010 i shton qytetit të Durrësit 722 milionë lekë investime në infrastrukturën rrugore, 237 milionë lekë investime në shërbimet publike, 19.4 milionë lekë investime në sport e kulturë, 20 milionë lekë investime në arsim dhe 21 milionë lekë investime në fushën e shërbimeve sociale. Kryebashkiaku Dako ka deklaruar se "ky buxhet duhet miratuar sa më shpejt, në mënyrë që të fillohet pa humbur kohë nga puna e të mos lejohen spostime të afateve të investimeve, që rezultojnë me pasoja për realizimin e plotë të tyre". Por, për miratimin e saj, kjo paketë financiare duhet të marrë edhe miratimin e të djathtëve dhe të këshilltarëve të LSI-së, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese. Rikonstruksioni i 13 rrugëve që kapin vlerën 178 milionë lekë konsiderohet emergjent nga kryebashkiaku Dako. Ndërsa sa u përket banesave sociale, durrsakët e pastrehë do të përfitojnë në të ardhmen e afërt nga lëvrimi i kredisë me vlerë 3.3 milionë euro, të dhënë nga Banka e Këshillit të Evropës (CEB). Durrësi do të ketë më shumë para të investuara nga buxheti lokal në krahasim me një vit më parë. Bashkia ka paraqitur për diskutim me komunitetin dhe grupet e interesit, projekt-buxhetin e vitit 2010, që pas fazës së diskutimit, do të kalojë për miratim. Buxheti është shtyrë në disa mbledhje, pasi të djathtët kërkonin vendosjen në plan të ditës së Portit të Peshkimit, i cili ka mbetur gjithashtu pezull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›