E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbreti Zog kur u largua mori 11 valixhe pasuri”



Pasuria që Mbreti Zog mori me vete, kur u largua nga Shqipëria në 7 prill të vitit 1939, ka qenë gjithnjë një temë diskutimi. Thuhet se Mbreti mori me vete gjithë arkën e shtetit, se mori miliona, etj. etj. Më shumë dritë mbi këtë fakt hedh sekretari personal i tij përgjatë 4 viteve të mërgimit, Gjenco Naçi. Në librin e tij “Largimi i Mbretit Zog nga Shqipëria 1939-1945” sjell dëshmitë e tij personale mbi ato çka pa gjatë udhëtimit dhe në jetën që bënte Mbreti. Ai flet për 11 valixhe të rënda, që ruheshin nën kujdesin më të madh, por edhe për detaje nga jeta e Mbretit, që tregojnë se ai ishte njeri shumë kursimtar, që nuk besonte në banka dhe në investimin e parave. Flet gjithashtu edhe për prejardhjen e dyshimtë të pasurisë së tij. a.m

Gjenco Naçi

Valixhet e famshme
S’mundem të mbaroj këtë kapitull mbi udhëtimin tonë, i cili u përmend shumë dhe më duket se shkaktoi mjaft ngatërrime gjatë kohës së mërgimit. Kur hipa në vapor në Stamboll, hodha një sy nga dritarja në kabinën e Mbretit dhe atje pashë të mbledhura njëra mbi tjetrën valixhet e famshme. Që atëherë vështrova që këto valixhe ishin objekt i një kujdesi të veçantë. Lëviznin vetëm prej oficerëve dhe nuk u lejua asnjëherë ndonjë hamall që t’i prekte me dorë. Bashkë me to shkonte gjithnjë një nga nipërit e Mbretit, Hyseni ose Tati. Në trena dhe në hotele gjendeshin gjithnjë në dhomat e princeshave. Njerëzit i shikonin me kureshtje dhe disa me armiqësi. Ishin të renda dhe vetëm oficerët dinin diçka rreth peshës së tyre. Më duket se ishin 11 dhe njëra prej tyre duhet të kishte shumë rëndësi, sepse trajtohej në mënyrë të veçantë dhe udhëtonte gjithnjë nën sytë e vetë Mbretit. S’ka dyshim që ishin shumë të vlefshme. Një ngjarje që do ta tregoj, kur të flas për kalimin tonë në Angli nuk len asnjë dyshim për këtë. Dihej që në këto valixhe kishte një pasuri të madhe. Disa thoshin pasuria e shtetit shqiptar. Mbreti thoshte pasuria e tij. Unë nuk di gjë. Nuk i pash kurrë të hapura, por sido që të jetë puna, një gjë është e sigurt, këto valixhe gjatë udhëtimit nuk qenë vetëm mërzitja e oficereve që i mbanin, por edhe elementi më i keq i propagandës që u bë për Shqipërinë me rastin e këtij udhëtimi.
Incidenti me valixhet rrugës
për në Angli
Kur arritëm në “St.Jean de Luz”, konfuzioni ishte në kulm. Qyteti ishte i mbushur me njerëz pa strehë, pa ushqim, pa qëllim. Njerëzit flinin në pjacën e qytetit, e cila dukej si një pazar i madh dhe i parregullt. Më vonë mësova pa pasur mundësi ta kontrolloj se Qeveria angleze kishte caktuar vende për Mbretin dhe njerëzit e tij në një vapor të veçantë dhe kishte bërë përgatitje për ta pritur me nderimet e rastit, kaq në vapor sa dhe në Angli. Sa për nderimet, nuk më mbushet mendja se ishin parashikuar, por sigurisht vendi ishte mbajtur. Në të vërtetë hymë në vaporin anglez pothuajse me vështirësi dhe tamam sikur të mos ishte bërë asnjë përgatitje. Faji ju vu z. Kastrati, i cili ishte ngarkuar me veprimet përkatëse. Por ai që di sa liri veprimi ka njeriu që ngarkohet me punë prej Mbretit, kësaj akuze i jep një vlerë krejt relative.
Hymë në vapor, natën dhe transportimi i Princeshës Ruhije ka qenë me të vërtetë i vështirë, dhe vetëm fati i saj e shpëtoi të mos mbytej në det. Plaçkat tona, që i kishim sjellë që nga Parisi, i lamë në molet e “St. Jean de Luz”. Në një kohë të tillë, kur nga një minutë në tjetrën pritet bombardimi i qytetit dhe fundosja e vaporit, njeriu mendonte kokën dhe asgjë tjetër. Kështu lamë në mole edhe disa prej arkivave të Legatës. Kur u pa që vetëm disa plaçka personale ishin ngarkuar në vapor dhe jo në valixhet e famshme, u bë një amulli e papërshkrueshme. Me gjithë sigurimet që jepnin autoritetet e vaporit, që valixhet e çmontueshme do të vinin, shqetësimi në qarqet tona ishte shumë i madh. Atëherë kuptova vlerën që Mbreti u jepte këtyre valixheve. I shqetësuar në kulm dhe krejt jashtë vetes, doli personalisht në një barkë që të gjente në mes të natës valixhet e tij. Mungoi disa orë dhe më së fundi u kthye i lagur deri në kockë dhe pa valixhet. Atëherë, i shthurur në shtratin e tij, duke pritur që të thaheshin pantallonat, na deklaroi pa asnjë rezervë, se pa valixhet ishte tërësisht i humbur. Nuk bisedonte dot tjetër gjë. Të nesërmen në mëngjes, valixhet u gjetën dhe qarqet tona u qetësuan.
Financimi i Emigratës.
Vështirësitë, gabimet, dështimi i Emigratës s’mund të çmohen dhe të kuptohen në rast se nuk them dy fjalë mbi financimin e saj. Si gjatë kohës së jetës indipendente të kombit tonë, problemi kryesor dhe shkaku i gjithë vështirësive kishte qenë mungesa e parave, kështu edhe në Emigratë mospasja e mjeteve financiare gjendet në themel të çdo çështje. çdo veprim njerëzor ka nevojë për para. Emigrata shqiptare s’kishte para. Kjo mjafton të shpjegojë dështimin e saj dhe sikur të mos kishte arsye të tjera.
Nga shtetet e pushtuara që nga 1939-ta e këtej, Shqipëria ishte i vetmi vend që s’kishte fonde të depozituara jashtë kufirit të saj dhe jashtë kufirit të shtetit që e sulmoi. Kisha dëgjuar se kishim një depozitë në një bankë zviceranë, por edhe sikur të ishte e vërtetë, përsëri disponimi i fondit merrej nga Banka Kombëtare, e cila gjendej në duart e italianëve dhe vetëm urdhrat e saj do të zbatonte banka zviceranë. Nga ana tjetër, edhe sikur të mos u ngjiste kështu, banka do të kërkonte një autoritet për të disponuar fondet. Këtë autoritet nuk e kishim, por mund të jetë edhe e kundërta: këtë autoritet nuk e patëm, sepse nuk kishim fonde.
Nga shtetet e pushtuara, Shqipëria ishte e vetmja, e cila s’kishte një koloni të pasur, ku mund të gjente fonde të mjaftueshme për një veprim. është e vërtetë që kolonia e Amerikës mundi gjatë luftës tjetër të mbledhë ca para, që të mbajë për një kohë një delegacion në Konferencën e Paqes, por ishte shumë e vogël dhe veprimet e delegacionit shumë të kufizuara. Tani duheshim shumë më shumë para. S’ishte puna vetëm të mbaheshin 5-6 njerëz që të mund të flasin para komisioneve ndërkombëtare. Duhej të mbahej një organizim shtetëror, i cili mund të pranohej midis aleatëve, duke sjellë kontributin e tij në këtë luftë monotone. Kjo s’mund të bëhej me anën e kolonisë së shqiptarëve, me gjithë ‘prosperitetin’ luftarak, që u solli atyre disa fitime të majme. Gjatë luftës tjetër, shqiptarët e Amerikës mundën t’i bëjnë shtetit një hua prej 2000.000 dollarë. Këtë herë kontributet e ndryshme që bënë, s’kapën shumë, 500.000 dollarëve me gjithë mundimet kolosale, të atyre që i kërkuan.
Nga gjitha shtetet e pushtuara, Shqipëria ishte i vetmi vend, i cili s’kishte një kredi. Për këtë, gjendja ndërkombëtare e Shqipërisë me dyshimet që shkakton mbi ringjalljen e shtetit shqiptar, keqadministrimi gjatë 25 viteve të pavarësisë dhe politika monopolistike e Italisë, ndarja midis shqiptarëve dhe arsye të tjera, janë shkaktare.
S’kemi pasur pra një fond të madh kombëtar. Atëherë duhej bazuar në mjete private dhe personale. Emigrantët politikë shqiptarë ishin të gjithë njerëz të vobektë dhe s’kishin as kafshatën e bukës nga mjetet e tyre. Një përjashtim i vetëm ishte Mbreti Zog. Financiarisht Emigrata duhej të bazohej mbi “qesen” e mbretit. Ky fakt ishte një nga arsyet që i dhanë rëndësi Mbretit Zog në Emigratë. Imzot Noli e tha pothuaj haptazi se Mbreti Zog duhej, përveç arsyeve të tjera, edhe pse kishte para. Por kujtoj se do të pranohet se s’ka një pasuri private aq të madhe sa të mund të financojë një lëvizje kombëtare. Sa i pasur që ishte Mbreti Zog, s’ishte e mundur që të mbante vetë një shtet në këmbë.
Mbi pasurinë e Mbretit Zog u bë një bujë e madhe, mbi sasinë e saj sa dhe mbi origjinën e saj. U tha se pasuria ishte jashtëzakonisht e madhe: 100.000.000 lira sterlina ishte një nga shifrat që dëgjova njëherë dhe më duket se një shifër e këtillë është jashtë çdo logjike. Asnjëri përveç Mbretit Zog nuk e dinte se sa para kishte me të vërtetë. Por do të bazohem mbi fjalët e tij, pasuria e tij e mbyllur në kasat e famshme së bashku me xhevahiret e motrave të tij, nuk kapërcente 100.000 lira. Por për hesapin tim, kjo shifër minimale, ka kaq saktësi sa edhe shifra që përmenda më sipër. E vërteta është midis këtyre dy ekstremeve. Më poshtë do të jap një çmim aproksimat (të përafërm) të shpenzimeve që pashë të bëjë Mbreti Zog dhe disa elementë të tjerë, prej të cilëve njeriu mund të bëjë një ide mbi pasurinë e tij. Por duhet të bëj me dije se Mbreti Zog kishte ide ekonomike të veçanta dhe pra, shpenzimet që bënte s’duhet të merren si bazë për kapitalin e tij, siç mund të bëhet me njerëz normalë.
Po pasuria e Mbretit Zog, a ishte një pasuri private?
Kujtoj se asnjeri s’beson se këtë pasuri Mbreti Zog e kishte të vetën nga trashëgimia, ose nga fitime të ndershme. Familja e tij nuk ishte nga të pasurat e vendit. Vetë, me të gjithë megalomaninë e tij, ma ka pohuar shumë herë, vjen fjala, z. Shefqet Vërlaci ishte shumë më i pasur se ai. Pretendonte se kishte një pasuri tokësore të madhe, por pohonte se ajo nuk i solli kurrë gjëra të mëdha. Një përjashtim ishte pylli, i cili u shit tri a katër herë, duke sjellë gjithsej 100.000 napolona. Vetë Mbreti Zog, duke më treguar shumë herë këtë histori, pranonte rregullimin e shitjeve të ndryshme dhe batakçillëkun. Kështu, kujtoj se çdo farë pasurie që kishte Mbreti Zog do të jetë zor për të, të provojë se e fitoi pa përdorur influencën e shtetit. Të ardhurat private dhe rroga e tij shtetërore nuk ishin të tilla sa t’i lejojnë të bëjë shumë ekonomi, me gjithëse ka jetuar gjithnjë në mënyrë shumë kurnace. Duhet që një shumë mjaft e majme të ketë ardhur prej një burimi tjetër, por kjo është vështirë të provohet. Por edhe sikur të provohet, s’mund të quhet, as vjedhje as përvetësim, përveç prej demagogëve. Mbetet pra një pasuri private, pavarësisht nga gjykimi moral, mbi mënyrën e krijimit të saj. Përsëri një pasuri e tillë s’mund të jetë e madhe, sepse Shqipëria s’ka pasur allishverish të madh. Natyrisht të vobektit, një pasuri prej 1000.000 lira sterlina, i duket kolosale, por nuk është gjë në barazim me nevojat e një shteti, qoftë edhe të vogël si Shqipëria.
Një fjalë e përhapur dhe e thënë me insistim është që Mbreti Zog iku nga Shqipëria, duke marrë me vete “thesarin e shtetit”, “gjakun e popullit shqiptar” dhe “milionat e shtetit”.
S’ka dyshim se mbreti dhe Qeveria shqiptare, duke ikur, morën me vetë “gjakun e popullit”, por duke folur për “thesar” dhe “miliona” duhet të merremi vesh. çdo njeri që jetoi në Shqipëri dhe nga Shqipëria, e di fort mirë që kurrë arka e shtetit në Tiranë s’kishte “thesare”, “miliona”. Edhe Mbreti Zog me “kusarët” e tij, s’mund të merrte më shumë se sa kishte arka. Kështu që shuma e marrë s’mund të ishte me të vërtetë e madhe. Mbreti Zog na tha shumë herë se ai mori me vendimin e Qeverisë afro 400.000 fr. shqiptare. Nuk mendoj se arka e Tiranës ka pasur më shumë se aq. Mbreti Zog u akuzua pse i mori këto para. Përgjigja më e mirë është ajo që dha avokati i tij, kur e mbrojti kundër gazetës “Daily Sketch”: “A duhej t’ia linte Italisë ato para?”. Sa për përdorimin e këtyre parave, kujtoj se Mbreti Zog mund ta provojë shumë kollaj se i harxhoi, duke paguar oficerët dhe nëpunësit e shtetit që dolën bashkë me të. Kështu që edhe akuza mbi përdorimin e tyre nuk pi ujë.
Me sa thashë më sipër nuk lahet Mbreti prej akuzës që iu drejtua. Por del se pasuria e tij duhet quajtur si pasuri private dhe se ishte relativisht e vogël për nevojat e një lëvizjeje kombëtare.
çdo njeri që thotë se atdheun e ka mbi të gjitha, e ka për detyrë morale të përdorë dhe lekun e tij të fundit për atdheun, sidomos kur ky gjendet në rrezik zhdukjeje. Kur duhet me dhënë jetën, natyrisht duhet të japësh edhe “qesen”. Aq më shumë një mbret vendës, i cili të gjitha ia detyron atdheut të tij dhe popullit që e bëri mbret. Mbi këtë, Zogu thoshte se ishte dakord. Po kjo detyrë morale nuk krijon asnjë të drejtë për një bashkëkombës tjetër, që të detyrojë pasanikun të harxhojë pasurinë e tij për Atdheun. Kur pra i kërkohej Mbretit Zog të harxhonte pasurinë e tij për qëllime kombëtare, i kërkohej një gjë e tillë, që sillte lavdërim po të bëhej, po jo dënim po të mos bëhej. është një farë detyrimi, që i bëhet ndërgjegjes së Mbretit Zog dhe jo një farë detyrimi, që i imponohet.
Të gjitha këto bisedime mbi pasurinë e Mbreti Zog dhe mbi përdorimin e saj ishin pra, pa themel të vërtetë dhe të kota. Fakti ishte që kjo qe një pasuri private, relativisht e vogël për nevojat e çështjes, që asnjëri s’kishte të drejtë mbi të, përveç zotit të saj, që praktikisht s’kishte mënyrë, që zoti i saj të detyrohet ta përdorte, përveç si e donte ndërgjegjja e tij dhe se po ta përdortë për atdhe, do ta bënte nga detyra morale dhe jo nga ndonjë detyrë legale. Nuk kujtoj se sharja është mënyra me e mirë për të detyruar një shqiptar të bëjë detyrën e tij morale.
Tani le të shikojmë si e përdori këtë pasuri Mbreti Zog, jashtë nevojave të tij personale dhe familjare. Mbajti dy legata, tre katër sekretare, një përfaqësi në Amerikë për çdo kohë dhe bëri disa harxhime për propagandë, përveç ndihmës që u dha disa oficerëve. Nga shërbimet jo personale kujtoj se vetëm shpenzimet e propagandës dhe mbajtja e legatave i shërbeu çështjes kombëtare me të vërtetë. S’ka dyshim se edhe këto dy shërbenin gjithashtu për qëllime politike të Mbretit në pikëpamjen e tij mbi fronin, por s’mund të bëhej ndryshe, sepse shteti përfaqësohej prej tij. Pastaj është jashtë realitetit t’i kërkohet Mbretit Zog të bëjë diçka pa pasur interes personal të vogël, ose të madh, të afërm ose të largët, pse nuk është njeriu i këtij karakteri. Por mbetet fakti që, duke mbajtur legatat, ai mbajti funksionin e shtetit shqiptar dhe duke bërë propagandën, i shërbeu idesë kombëtare.
Shumat që u harxhuan dhe shërbimet që u bënë janë fare të vogla, pothuaj hiç gjë. Kujtoj se kishte mundësi të bëhej më shumë dhe duhej të bëhej më shumë. S’mund të bëhej gjithë ç’duhej, por sigurisht nuk u bë e gjitha ç’mundej. “Pse”-ja gjendet në psikologjinë dhe mentalitetin e Mbretit Zog.
Një mbret cingun
Mbretin Zog e pashë aq cingun sa u çudita. Edhe në bukën që hante bënte ekonomi pa pasur nevojë. Vetëm cigaret i harxhonte pa kursim, por jo shkrepëset vjen fjala. Eksperienca ime thotë se në këtë pikë Mbreti Zog ishte si gjithë bejlerët shqiptarë, neqez. Gjithashtu, kurrnacllëku nganjëherë karakterizon pasanikun e madh. Por zakonisht kjo i ngjet pasanikut, që do t’i fitojë vetë paret, me shumë mundime, dhe jo pasanikut që u lind i pasur. Sidoqoftë nga mënyra me të cilën jetonte Mbreti Zog, duke shtrënguar veten, duke bërë gjëra kundër dëshirës së tij, që e ka shumë të zhvilluar, nxjerr përfundime se pasuria e tij dukej shumë e vogël dhe kishte frikë se do të mbaronte shpejt. ç’kuptim i jepte ai fjalës “shpejt”, s’e di. Gjithashtu, mënyra me të cilën admironte njerëz të pasur sipas tij, të cilët me të vërtetë ishin njerëz me “katandi”, “nikoqirë”, sipas idesë angleze, del po në atë përfundim. Përveç në rast se mbreti Zog luante komedi edhe në këtë pikë.
Në rast se pasuria e tij është aq e vogël sa e tregonte edhe vetë, harxhimet që bëri nuk justifikohen. Siç më thoshte, qëllimi i tij ishte që në mbarim të luftës të këtë L25.000, që t’i përdorte për kthimin e tij. Njeriu që shikon kaq ngushtë, s’mund të jetë shumë i pasur. Sidoqoftë, Mbreti Zog energjinë e tij të madhe e harxhoi, duke menduar të shpëtojë lekët, por s’kishte as më të voglin haber nga përdorimi i pareve. Kuptimi i tij mbi paret ishte ai i bujkut, i cili vendos napolonat në një qyp dhe i mbulon nën dhe. Mbreti Zog s’beson te bankat, si ai s’beson në përdorimin e kapitalit për të sjellë fryte, që t’i premtojnë të mos harxhohen. Me kapitalin që kishte mund të bënte punë më të mëdha, pa harxhuar përveç të ardhurave të tij. Ai harxhoi kapitalin që kishte dhe çdo herë që shikonte prapa në kohë, dilte jashtë vetes. Mënyra që harxhoi paratë tek njerëzit ishte e tillë, që në vend të fitoje një faleminderit, fitonte një sharje dhe poshtërim. Kjo ishte pasuria e një pasaniku, i cili duhej të fitonte Emigratën shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›