E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri i Humorit, ngrihet grupi i punës



Vetëm pak ditë pas propozimit të Kryeministrit Sali Berisha, për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit, ngrihet grupi i punës që do të drejtojë këtë proces. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, organizoi dje takimin me personalitete të artit lidhur me këtë ide. Pasi bëri një vlerësim të institucionit të Estradës në vite si dhe degradimin, që pësoi më pas, Xhaferaj bëri të ditur që tashmë, ashtu si edhe Cirku, Teatri i Estradës është përfshirë në “Ligjin për artin” si Teatri Kombëtar i Komedisë. Njëkohësisht, ministri propozoi ngritjen e një grupi pune, i cili në bashkëpunim me ministrinë do të punojë për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni si dhe përcaktimin e vendndodhjes së strukturës së tij. Në përbërje të grupit të punës janë Teodor Laço, Bashkim Hoxha, Mihallaq Luharasi, Bujar Kapexhiu, dramaturgu Ruzhdi Pulaha. Nuk do të mbetet jashtë këtij procesi edhe kontributi i ish-aktorëve të Estradës, si Rita Lati, Behar Merja, etj., të cilët ishin të pranishëm në mbledhjen e djeshme. Sa i përket vendit ku do të ngrihet ky teatër, ishte shkrimtari Teodor Laço, i cili propozoi që salla për aktivitetet e këtij institucioni të jetë salla e vogël e Teatrit Kombëtar. Kjo ide u mbështet dhe nga dramaturgu Bashkim Hoxha, i cili theksoi nevojën për një reformim të thellë të Teatrit Kombëtar. Institucion ky, që sipas tij, ndodhet në një udhëkryq ndërmjet të vjetrës dhe të resë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›