Dëshmitë: Firmosëm një letër të bardhë për kushtet teknike
Në Gjykatën e Tiranës vijuan sërish dje dëshmitë rrëqethëse dhe tronditëse lidhur me tragjedinë e ndodhur në mars të vitit të kaluar në Gërdec. E nisur me 40 minuta vonesë, për shkak të vonesave të disa prej avokatëve të 29 të pandehurve në këtë proces, seanca vijoi me pyetjen e pesë të mbijetuarve, ish-punonjës në fabrikë, të cilët kanë rikonfirmuar faktin se aty punohej në kushte tejet skandaloze, ndërsa kanë vënë theksin se kanë firmosur në një letër të bardhë të gjithë, ku nuk ishte shkruar asnjë rresht mbi kushtet e sigurisë teknike në fabrikë. Kanë qenë pikërisht ata që panë vdekjen me sy dhe që kanë përjetuar vetë dhe familjarët momente tmerri në atë fabrikë, të cilët dje para togave të zeza kanë rrëfyer me detaje gjithçka rreth momenteve të pranimit në punë, vijimësisë së punës dhe kushtet në të cilat punonin, deri ditën e shpërthimit. “Në momentin kur shpërtheu zjarri, u mundova të largohesha”, - tregon dëshmitari i parë i ditës së djeshme, Lufti Gërdeci, i cili mban si mbiemër emrin e fshatit ku ndodhi tragjedia dhe që atë ditë punonte në fabrikë së bashku me bashkëshorten e tij. “Gruan e gjeta një ditë më pas në spital. Ajo kishte djegie në 30% të trupit, ndërsa pasojat e asaj tragjedie vazhdon t’i vuajë dhe sot”, - rrëfen dëshmitari, i cili ishte punësuar në fabrikën e vdekjes më 15 qershor 2007, nga Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës. Së bashku me të ishin punësuar dhe bashkëshortja e tij, i vëllai, e ëma dhe kunati. “Nuk ka pasur asnjë moment trajnimi lidhur me punën që bënim”, - tregon dëshmitari Gërdeci, i cili ka punuar në të dyja fazat e demontimit, si në atë të demontimit të fishekëve, ashtu dhe në demontimin e predhave, nga ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik. Ai ka rrëfyer para togave të zeza se ka firmosur vetëm një letër të bardhë, në të cilën nuk ishte shkruar asnjë fjalë, jo më renditje të kushteve teknike në fabrikë, siç edhe është deklaruar nga drejtuesi Minxholli disa seanca më parë. Dëshmitari ka rikonfirmuar para gjykatës thëniet e disa dëshmitarëve të mëparshëm në këtë seancë, se në fabrikë nuk kishte asnjë element sigurie, apo dhe mjete të tjera për shuarjen e zjarrit. “Në një rast kur ra zjarri në fabrikë e fikëm me kova uji”, - kujton Lufti Gërdeci, duke ripërsëritur edhe një herë deklarimin e bërë disa ditë më parë nga 18-vjeçari Çiku. Dëshmia e tij do të pasohej edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve Arben Ndova, Ilir Kranja, Murat Zguri, Nikolin Hazizaj, të cilët ritheksuan po të njëjtat fakte, lidhur me pranimin në fabrikë si punëtorë për demontim, kushtet në të cilat punonin, firmat e hedhura mbi letrat e bardha, si dhe momentin e shpërthimit. Madje, një prej dëshmitarëve, Nikolin Hazizaj, është shprehur para gjykatës se ditën e ngjarjes ka parë flakë dhe një karrocë me një thes me barut që po digjej. Por, gjatë seancës së djeshme ka pasur një deklarim pas këtyre dëshmive edhe nga vetë i pandehuri Dritan Minxholli, i cili u shpreh se përgjatë gjithë kësaj kohe nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga prokuroria lidhur me veprimtarinë e Qemal Deliut në fabrikë, saldimin që ai u bënte karrocave dhe arsyet pse ra zjarr në fabrikën që ai drejtonte.